Më 3 nëntor protesta e radhës “Kthema adresën” në Medvegjë

Më 3 nëntor protesta e radhës “Kthema adresën” në Medvegjë

Aktuale October 26, 2024 - 18:20

Në Medvegjë të Luginës së Preshevës më 3 nëntor do të organizohet protesta e radhës kundër diskriminimit, përmes pastrimit etnik-pasivizimit, zhvendosjes dhe dëbimit, shtypjes dhe shkeljeve që i bëhen shqiptarëve të kësaj komune.

Në njoftimin e bërë publik në rrjetet sociale nga “Medvegja.net”, thuhet se me datën 12 gusht 2024, shqiptarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në mënyrë paqësore realizuan marshin protestues në qendrën e qytetit në Bujanoc. E, po ashtu më datën 23 shtator 2024,shqiptarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në mënyrë paqësore realizuan marshin protestues në qendrën e qytetit në Preshevë.

“Protesta e caktuar e radhës në Medvegjë, më datën 3 nëntor 2024, me moton ‘Kthema adresën’’, është edhe kundër diskriminimit, në përdorimin e gjuhës shqipe, simbolit kombëtar, në investime e përfaqësime”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, protesta  e radhës në Medvegjë është vazhdim i marshit protestues në Bujanoc dhe marshit protestues në Preshevë, që ishin mbajtur si protesta gjithëpopullore, me moton për IDENTITET e DINJITET, ishte marshimi përballë padrejtësive e diskriminimit, ku është përgjegjësi e përbashkët dhe e domosdoshme për të tashmen e të ardhmen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

“Protesta është për të dëshmuar për të satën herë se përkundër mbajtjes dhe organizimit të Referendumit të datës 1 e 2 mars 1992, por edhe pas përfundimit të luftës së UÇPMB-ës dhe Marrëveshjes së Konçulit, asnjë marrëveshje në mbrojtje të vullnetit plebishitar të kësaj Krahine shumicë nuk është duke u zbatuar, dhe nuk mund të shtyhen pafundësisht!?”.

“Dy marshet protestuese dhe protesta tani e paralajmëruar në Medvegjë, janë për zbatimin e Marrëveshjeve të nënshkruara dhe për përmbushjen e detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, thuhet në njoftim.