OEK: E pamjaftueshme rritja ekonomike, qeveria t’i shtojë investimet publike
Foto: Laura Hasani

OEK: E pamjaftueshme rritja ekonomike, qeveria t’i shtojë investimet publike

Aktuale October 26, 2024 - 16:47

Rritja ekonomike e paraparë prej katër për qind është e pamjaftueshme, prandaj duhet të jetë dyshifrore për t’i përballuar sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova.

Kështu sipas vlerësimit të kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Ai gjatë një interviste  tha se nga institucionet kanë kërkuar që buxheti i shtetit të drejtohet më shumë në investime publike.

Rafuna, formën e investimeve nga diaspora e cilëson si të gabuar, përcjell Klankosova.tv.

“Rritja ekonomike këtë vit pritet të jetë rreth 4 për qind që është një rritje ekonomike që nuk lë gjurmë në zhvillim, nuk lë gjurmë në ulje të papunësisë”.

“Në Kosovë për të lënë gjurmë rritja ekonomike duhet të jetë dyshifrore e jo njëshifrore, dhe kjo ka qenë arsyeja pse ne prej fillimvitit kur është aprovuar Ligji i Buxhetit kemi kërkuar nga institucionet e vendit që të ketë më shumë investime publike, të ketë një reformë të ambientit për të pasur më shumë investime private dhe për të parë se si mundemi më shumë me tërheq diasporën tonë në kuptimin e projekteve e të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillim ekonomik të vendit e jo vetëm t’i lejojmë diasporën tonë në kuptim që ata të blejnë banesa ose shtëpi”.

“Mirë që i blejnë, mirëpo më mirë kish me qenë sikurse ato mjete që na vijnë nga diaspora, t’i orientojmë në zhvillim ekonomik”, u shpreh Rafuna.

Kryetari i OEK-ut tha se remitencat janë të destinuara jo në formë të duhur, pasi pas blerjes ato mbesin të pashfrytëzuara.

“Një pjesë e patundshmërisë e cila blihet nga diaspora jonë që ne e konsiderojmë si investim, ato rrinë të mbyllura. Në fakt ajo është shpenzim, për arsye se kur vijnë njëherë në vit, ata detyrohen për ta mirëmbajtur, për të investuar në të kështu që nuk është investim”.

“Investim kish me qenë për ata që i kanë lëshuar dhe e marrin një të mirë nga lëshimi me qira e kështu më radhë. Është e vërtetë që ne i quajmë investime të huaja, mirëpo edhe këtu shtrohet pyetja a duhet të quhen me të vërtetë krejt investim”, theksoi Rafuna. /EO