Reuters: Serbët po i bojkotojnë bizneset shqiptare në veri

Reuters: Serbët po i bojkotojnë bizneset shqiptare në veri

Aktuale October 25, 2024 - 13:53

Me inkurajim të Qeverisë së Kosovës, disa biznese shqiptare nga fusha e gastronomisë e deri te supermarketet u hapën në pjesën veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Ndonëse një gjë e tillë u cilësua si një hap drejtë bashkëjetesës në mes të komunitetit shqiptar dhe atij serb, këta të fundit po refuzojnë që të ndërveprojnë me biznese shqiptare.

Komuniteti serb në Kosovë, sipas agjencisë së lajmeve britanike, Reuters, po i bojkoton këto biznese.

“Për momentin nuk kemi klient serbë sepse ka një fushatë në rrjetet sociale dhe njerëzve u thuhet të mos hyjnë në dyqanin tim”, i ka thënë Reuters-it pronari i “Missini Sweets” – biznes i hapur nga një pronar shqiptar – Astrit Misini.

Misini, sipas Reuters-it, nuk e sheh veten si pjesë e ndonjë agjende qeveritare, megjithatë, ai pranon se e hapi kafenenë e tij në veri pasi mori “sugjerime nga shteti se ekzistojnë kushtet e duhura për të qenë atje, se tani ka siguri”.

E njëjta situatë, sipas Reuters-it, është edhe me supermaketet e hapura rishtazi në veri.

“Një herë hyra në njërën këto dyqane shqiptare dhe nga vetë njerëzit e mi u cilësova si tradhtare. Por, pashë edhe se nuk jam mirëpritur nga shqiptarët në këto dyqane, sepse kamerierët më shikonin gjatë gjithë kohës”, i ka thënë Reuters-it një banore e komunës së Mitrovicës së Veriut me emrin Bojana, e cila për shkaqe të sigurisë ka refuzuar ta japë edhe mbiemrin.