KMDLNJ-ja e quan provokim vendosjen e kryqit në varrezat e myslimanëve në Bajçincë të Podujevës

KMDLNJ-ja e quan provokim vendosjen e kryqit në varrezat e myslimanëve në Bajçincë të Podujevës

Aktuale October 25, 2024 - 13:22

Në varrezat e fshatit Bajçinë të Podujevës persona të paidentifikuar deri më tani kanë vendosur një kryq të madh, bashkë me flamurin kombëtar që ka shkaktuar zemërim të madh të banorëve.

Përmes një reagimi, KMDLNJ-ja ka thënë se është njoftuar nga banorët për siç e kanë quajtur “këtë provokim dhe përpjekje për shpërfytyrim të varrezave të fshatit ku janë varrosur banorët që thuaja njëqind për qind i përkasin besimit islam”.

Sipas KMDLNJ-së, e drejta e ushtrimit të lirë të besimit në Kosovë për të gjithë besimtarët është e garantuar me ligj.

“Sikur që çdo diskriminim në baza fetare duhet të sanksionohet me ligjet në fuqi. Vendosja e kryqit në varrezat e fshatit Bajçinë, pa asnjë dyshim ka për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe mosbesimit në baza fetare dhe KMDLNJ-ja fuqishëm e dënon këtë shkelje të rëndë të drejtave të njeriut dhe ushtrimit të lirë të besimit”.

“As në kohën e okupimit më të egër të Kosovës regjimi i Serbisë nuk ka ndërmarrë një veprim të tillë”.

“Është shumë e qartë se këtë veprim të shëmtuar nuk e ka bërë një person i vetëm prandaj, KMDLNJ-ja kërkon të bëjë hetime të shpejta në mënyrë që dhunuesit e të drejtave dhe lirive fetare të identifikohen, kapen dhe të përballen me ligjin”, thuhet në reagim. /Zëri