ARC-ja demanton lajmin e mediave serbe për heqjen “Mitrovica e Veriut” nga dokumentet e identifikimit
Foto: Laura Hasani

ARC-ja demanton lajmin e mediave serbe për heqjen “Mitrovica e Veriut” nga dokumentet e identifikimit

Aktuale October 25, 2024 - 13:12

Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) demanton lajmin e publikuar në mediat serbe se është hequr nga dokumentet e identifikimit për qytetarët e veriut vendbanimi “Mitrovica e Veriut”, ndërsa në dokumente po u shkruan vetëm Mitrovica.

ARC-ja ka sqaruar se asnjëherë në asnjë mënyrë nuk ka shkelur të drejtat e asnjë komuniteti në procedurën e regjistrimit dhe pajisjes me dokumente personale.

“Reagim sqarues ndaj lajmit të datës 24.10.2024 ndaj portalit ‘KoSSev’ rreth lëshimit të letërnjoftimeve për qytetarët e Kosovës, konkretisht për qytetarët e Komunës së Mitrovicës Veriore.

Agjencia e Regjistrimit Civil dëshiron t’i sqarojë opinionin publik se asnjëherë, në asnjë mënyrë, nuk ka shkelur të drejtat e asnjë komuniteti në procedurën e regjistrimit dhe pajisjes me dokumente personale.

“Ju konfirmojmë se letërnjoftimi i Republikës se Kosovës lëshohen sipas procedurave të rregullta ligjore, në mënyrë unike, pa dallime, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të Komunave Veriore. Andaj, përmes këtij reagimi, ju sigurojmë se letërnjoftimi i lëshuar nga qendrat përkatëse për pajisje me dokumente, përmban adresën e vendbanimit të deklaruar nga vetë qytetari i Republikës së Kosovës në Zyrën përkatëse të Gjendjes Civile”, thuhet në njoftimin e ARC-së.

PO ashtu në këtë reagim nga ARC-ja janë dhënë disa sqarime : Nëse një qytetar, me vendbanim në Komune të Mitrovicës veriore, ka të regjistruar vendbanimin në po të njëjtën Komunë, përkatësisht në Zyrën e Gjendjes Civile, me rastin e pajisjes me letërnjoftim të Republikës së Kosovës, letërnjoftimi i lëshohet me adresën përkatëse të deklaruar nga vetë qytetari ne Zyrën e Gjendjes Civile, e cila funksion në kuadër të kompetencave të Komunës.

“Sa i përket të dhënave që paraqiten në letërnjoftim, të dhënat, si: vendlindja dhe vendbanimi, janë të dhëna të cilat merren (thirren) direkt nga Sistemi Elektronik i Gjendjes Civile. Vlen të theksohet se, jo vetëm për Mitrovicën Veriore, por për të gjitha Komunat në Republikën e Kosovës, këto të dhëna paraqiten mbi bazën e të dhënave që merren përmes sistemeve elektronike, përkatësisht nga Sistemi Elektronik i Gjendjes Civile”, thuhet në njoftimin e ARC-së.