Punëtoret teknike të Kuvendit në grevë qe 39 ditë: Askush s’është interesuar, s’do të ndalemi

Punëtoret teknike të Kuvendit në grevë qe 39 ditë: Askush s’është interesuar, s’do të ndalemi

Aktuale October 25, 2024 - 13:01

Me kërkesë për rritje page dhe respektim të të drejtave të punëtoreve, punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës kanë hyrë në ditën e 39-të të grevës.

Punëtoret kanë qëndruar në grevë në oborrin e Kuvendit të Kosovës me kërkesa që pagat t’u rriten në 550 euro. Ato për Ekonominë Online kanë thënë se përgjatë këtyre ditëve operatori privat nuk është interesuar fare për gjendjen e tyre.

Nazife Krasniqi, përfaqësuese e punëtoreve, tha se shumica e grave janë duke punuar në Kuvend për mbi 20 vjet dhe se grevën nuk do ta ndalojnë deri në plotësim të kërkesave të tyre.

Ajo ka thënë se operatori gjatë grevës vetëm një herë ka ardhur që të bisedoj me to dhe se në atë takim u ka thënë se e kanë të ndalura që të grevojnë në oborrin e Kuvendit.

Krasniqi ka shtuar se në lidhje më këtë kanë kërkuar që të njoftohen në formë zyrtare, por që nuk kanë pranuar një njoftim të tillë.

“Sot është dita e 39-të, do të thotë po përmbyllen 6 javë të plota me ditën e sotme. Ne grevën nuk e ndërpresim deri në plotësimin e kërkesave tona. Kërkesat tona janë që të rritet paga. Operatori nuk ka ardhur as njëherë me biseduar me ne, në përjashtim në javë e tretë është dalë këtu operatori me një zyrtar të Kuvendit që është kompetent për këtë punë, drejtorin e shërbimeve teknike na kanë ftuar në një sallë edhe na është prezantuar një urdhër që ose keni me filluar punën nga e hëna, është fjala për javën tretë, ose më ju nuk guxoni që të bëni greve në oborr të Kuvendit se është urdhër i Kuvendit”.

“Ne atë urdhër e kemi kërkuar në mënyrë zyrtare të na dërgojnë, nuk ka pasur problem edhe në shesh kishim qëndruar, atë urdhër as nuk na ka dërguar në mënyrë zyrtare as nuk na ka dhënë me shkrim. Operatori më as nuk ka ardhur që të bisedoj, kanë kaluar këndej, më falni në shprehje, sikur të kalonin para varreve, as me përshëndet, a jeni mirë se ne jemi punëtorë të tyre”, ka thënë ajo.

Krasniqi ka thënë se gjatë punës ka pasur parregullsi të shumta, duke shtuar se nuk u janë paguar as Trusti e as orët shtesë.

“Ka pasur parregullsi, tatimi, trusti nuk është paguar, paratë na ka ndalur nga paga. Me 31 prill na ka ardhur një njoftim duke shkuar në shtëpi gjoja se ju nuk jeni të obliguar të vini në punë deri të ju njoftojmë ne. Arsyet nuk i kemi ditur se neve nuk na ka ndodhur as një herë, pa marr parasysh që kompani është duke u tenderuar, tenderin proceduar i vazhdojnë organet që janë përkatëse. Neve na kanë dërguar në shtëpi, në atë interval 15 ditor na kanë thirru gjoja se hajdeni se tani është lëshuar tenderi, për çfarë qëllimesh i kanë bërë nuk e di. Kur kemi ardhur ka ardhur fundi i muajit me na qitë pagën mujore, na kanë qitur vetëm ka 150 euro, gjoja se ju nuk keni qenë në punë. Me ardhur me na vizituar kanë ardhur kanë ndje keqardhje por me na premtuar nuk na kanë premtuar as gjë”, ka thënë ajo për EO-në.

Shefkie Canolli, punëtore greviste, ka treguar edhe një rast ku një nga koleget e saj nga lodhja që ka pasur si pasojë e grevës ka pësuar aksident, ku sipas saj, gjendja e të aksidentuarës është e rëndë, raporton EO.

“Jemi qe 39 ditë në grevë me koleget e mia, nëse nuk na plotësohet kushte ne prapë do ta vazhdojmë grevën. Kemi pasur rast para nja tri dite, kolegia jonë është lodhur, është e rraskapitur që 39 ditë jemi këtu edhe ka pasur aksident edhe ka rënë është lënduar”.

“Në spital është ende duke u mjekuar që është në aq gjendje të rëndë. Ka mundësi që të mbet edhe me pasoj, kanë intervenuar këtu sigurimi, ka ardhur ambulanca e ka marrë gjendjen nuk e ka të mirë fare”, ka thënë ajo.