Anëtarësimi i Kosovës në KiE me plotësimin e kushtit të Asociacionit në agjendë gjatë nëntorit- Çfarë thotë Presidenca lituaneze

Anëtarësimi i Kosovës në KiE me plotësimin e kushtit të Asociacionit në agjendë gjatë nëntorit- Çfarë thotë Presidenca lituaneze

Aktuale October 24, 2024 - 19:23

Kosova humbi mundësinë që të hyjë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës në maj të këtij viti për shkak të refuzimit për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese statutin e Asociacionit. Mirëpo, kjo çështje është riaktualizur dhe po diskutohet për mundësinë që Kosova ta finalizojë shpejt anëtarësimin, madje gjatë këtij viti nëse Qeveria e miraton statutin e Asociacionit dhe e dërgon për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Express për këtë ka kontaktuar me Presidencën lituaneze të KiE’së, e cila thotë se “është e hapur të dëgjojë qëndrimet e të gjitha shteteve anëtare për këtë çështje dhe të sigurohet që procesi i anëtarësimit të mos mbjellë ndarje, por përkundrazi forcon organizatën, si dhe mbështet objektivat dhe angazhimet e dialogut Prishtinë-Beograd i lehtësuar nga BE”.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, e mbetur në gjysmë po riaktualizohet. Siç merret vesh kjo çështje është bërë opsion ditëve të fundit.

Më 21 tetor, në vizitën e tij të parë në Kosovë në pozitën e Ndihmës Sekretarit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit, James O’Brien, shkoi në Kryeministri në takim me shefin e ekzekutivit, Albin Kurti.

Nga komunikata e lëshuar nga Zyra e Kurtit u tha se temat e diskutuara në takim ishin rreth raporteve me Serbinë, procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Në linjë me zbatim të Marrëveshjes Bazë, O’Brien në një paraqitje televizive ka thënë se se SHBA-ja pret nga Kosova që ta dërgojë draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

O’Brien këtë mesazh e kishte përçuar edhe nga mediumi publik serb para se të vinte në Prishtinë. Megjithatë ai nuk ka përmendur afate. 

Kërkesa për dërgim në Kushtetuese Kosovës iu bë Kosovës nga shtetet perëndimire në maj të këtij viti para se të mblidhej Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës – një takim që ndodh zakonisht në maj çdo vit. Qeveria e Kosovës s’e ndërmori këtë veprim dhe si ndëshkim kërkesa s’u fut as në agjendë pavarësisht votimit të suksesshëm pro anëtarësimit të Kosovës nga Asambleja Parlamentare e kësaj organizate. Humbja e këtij shansi për Kosovën nënkuptoi shtyrje të procesit edhe për një vit.

Por, a mund të përshpejtohet dhe përmbyllet anëtarësimi i Kosovës në KiE.

Express ka kontaktuar me Ministrinë e Jashtme të Lituanisë, e cila aktualisht mban Presidencën e Komitetit të Ministrave të KiE deri më 13 nëntor.

Në përgjigje, MPJ e Lituanisë tha se s’mund të konfirmojë nëse kërkesa e Kosovës për anëtarësim mund të përfshihet në mbledhjet e zëvendësministrave në nëntor.

 “Siç mund ta dini, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës takohet në nivel ministror një herë në vit, zakonisht në maj, prandaj një takim i tillë nuk parashikohet gjatë Presidencës Lituaneze të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës (17-05-2024 – 13-11-2024). Komisioni takohet edhe në nivel zëvendësministrash çdo javë dhe në këtë fazë nuk jemi në gjendje të konfirmojmë se çështja e kërkesës për anëtarësim të Kosovës është gati të përfshihet në agjendën e takimeve të zëvendësministrave të nëntorit”.

Megjithatë, Lituania tha se është e hapur për qëndrimet e shteteve anëtare mbi çështjen e Kosovës, ndërsa tha se mbështet dialogun e Brukselit

“Si Presidencë e Komitetit të Ministrave, Lituania është e hapur të dëgjojë qëndrimet e të gjitha shteteve anëtare për këtë çështje dhe të sigurohet që procesi i anëtarësimit të mos mbjellë ndarje, por përkundrazi forcon organizatën, si dhe mbështet objektivat dhe angazhimet e dialogut Prishtinë-Beograd i lehtësuar nga BE”.

Ministria lituaneze tha se çdo aplikim për anëtarësim është një çështje më vete që kërkon një qasje individuale.

“Ky është sidomos rasti me Kosovën”.

Lituania tha se beson se të gjithë në Kosovë, përfshirë personat që i përkasin pakicës së saj serbe, duhet të kenë një perspektivë europiane dhe qasje në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Në fund, MPJ e Lituanisë tregoi edhe mbi qëndrimin që mban si shtet karshi kërkesës së Kosovës.

“Në kapacitetin tonë kombëtar, Lituania mbështet plotësisht anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës”.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, para dy ditësh kishte qëndruar në Këshillin e Europës ku ishte takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të organizatës, Alain Berset.

Ajo insistoi se Republika e Kosovës ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe “presim me padurim të ecim përpara drejt anëtarësimit të plotë dhe qytetarët tanë të përfitojnë nga mekanizmat mbrojtës të Këshillit të Europës”.

“Si një shtet me përparim të jashtëzakonshëm në sundim të ligjit, demokratizim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut, të konfirmuara edhe nga raportet më kredibile ndërkombëtare, Kosova është gati të përfitojë nga mekanizmat mbrojtës të kësaj organizate dhe të kontribuojë në forcimin e vlerave të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në nivel europian”.

Në mes të prillit të këtij viti Asambleja Parlamentare votoi me një shumicë votash raportin që rekomandonte anëtarësimin e Kosovës në organizatën lidere të të drejtave të njeriut. Ky sukses thuajse bindi krerët e institucioneve se edhe votimi i radhës përfundimtar në Komitet të Ministrave do të kishte të njëjtën mbështetje. Megjithatë, kushti i vendosur më pas nga disa shtete europiane për “hapa konkretë” në drejtim të themelimit të Asociacionit nga ana e Kosovës çoi në mosfutjen në agjendë të kësaj kërkese.

Më 16 maj, një ditë para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të KiE, Kosova u përpoq t’i bindte përmes një letre dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare e cila përmbante “zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës…”.

Por, kjo nuk e ndërroi situatën në terren.

Në vazhdën e kritikave ndaj Qeverisë së Kosovës për moskoordinim me partnerët e saj ndërkombëtarë, O’Brien në Beograd tha se për moskoordinim të veprimeve të Prishtinës me Uashingtonin “ka pasoja, dhe pasoja më e madhe ishte që shtetet në Europë nuk mundësuan pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës”.

“E gjithë kjo për shkak të moskoordinimit”. /express