Drecun sulmon e shpif për AKI-në dhe SHISH-in

Drecun sulmon e shpif për AKI-në dhe SHISH-in

Aktuale October 24, 2024 - 16:56

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka publikuar një video në të cilën eksponenti i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Milovan Drecun në një emision për mediat serbe, ka folur mbi zhvillimet në veri të Kosovës dhe Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës.

Islami, përmes një postimi në Facebook, thotë se “Milovan Drecun i cili njihet si gazetar, gjatë luftës në Kosovë ka edhe përgjegjësi edhe për vrasjen e vëllezërve Mazreku, e që vërtet ka qenë bashkëpunëtor i KOS-it [shërbimit inteligjent serb], qenka mësyrë t’i sulmojë me shpifje shërbimet e inteligjencës së Kosovës (AKI) dhe të Shqipërisë (SHISH). Ku tjetër përveç se në Tanjug”.

“Qëllimi i tij është tua humbë besimin AKI dhe SHISH te partnerët perëndimorë! Por kjo nuk do të ketë sukses, siç nuk ka pasur sukses kur gjatë viteve 1998 dhe 1999 përpiqej t’i quante terroriste edhe UÇK-në, edhe NATO-n”, ka shkruar Islami.

Ndryshe, Drecun tash anëtar i Partisë Progresive Serbe [partisë së Vuçiqit], i cili ka qenë deputet në parlamentin serb qe nga viti 2012, ka thënë se “në të gjithë këtë, ajo që është duke ndodhur larg syve të publikut është prania e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës”.

“… Në ushtri është formuar një agjenci speciale dhe për mua këtu janë bashkuar shërbime të zbulimit dhe kundërzbulimit. Këtu kemi një shërbim, i cili është jashtëzakonisht aktiv në veri e i cili vepron (natyrisht në uniforma civile), por që kanë legjitimitet dhe kompetenca policore, dhe që kanë marrë pjesë në të gjitha veprimet ‘e njëanshme’ të ndërmarra nga Prishtina në veri të Kosovës, duke filluar prej arrestimeve, marrjeve në pyetje të njerëzve, krijimit të rrjetit të inteligjencës jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në ‘Serbinë qendrore’, dhe këtu është aktiv një grup prej 30 pjesëtarësh, të cilët janë të stacionuar në pjesën jugore të Mitrovicës, por që janë jashtëzakonisht të pranishëm”, ka thënë Drecun, i cili gjatë viteve 1990 punoi si korrespondent në transmetuesin shtetëror të njohur për politika kundër shqiptarëve – RTS.

Drecun thotë se pjesë e AKI-së janë edhe pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët sipas tij, po rekrutohen nga shqiptarët.

“Po shqiptarë, të cilët rekrutojnë njerëz dhe po rekrutojnë edhe serbët. Kemi serbë që arritën t’i fitojnë në anën e tyre dhe që të punojnë në dobi të tyre. Kjo është tragjike, por është e vërtetë. Pra kujtoni atë agjentin e ekspozuar të shërbimit inteligjent shqiptar dhe atë shërbimin inteligjent të Kosovës që po krijonte një rrjet këtu në Serbinë qendrore. Pra ky është vetëm një indikator se si ata veprojnë në territorin e ‘Serbisë qendrore’ dhe në territorin e veriut të Kosovës. Pra, fatkeqësisht kemi edhe individë të nacionalitetit serb, të cilët për arsye të ndryshme janë të gatshëm të punojnë kundër interesave dhe sigurisë së popullit të vet”, ka thënë ai.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës Albin Kurti “themeloi një strukturë të plotë shtetërore në veri të Kosovës nën udhëzimet e shërbimit inteligjent”.

“E shihni, nuk do që ta dorëzojë pushtetin në katër komunat. Flet për atë se vetëm diku kah fundi i vitit të ardhshëm kur të mbahen zgjedhjet lokale…”, pohon Drecun, i njohur për qëndrime kundër Kosovës dhe politikave pro-kasapit të Ballkanit Slobodan Milosheviq. /telegrafi