Mesazhet e O’Brien, analistët: Kurti është bërë “pambuk”, e ka pranuar Asociacionin
Foto: Laura Hasani

Mesazhet e O’Brien, analistët: Kurti është bërë “pambuk”, e ka pranuar Asociacionin

Aktuale October 23, 2024 - 23:20

“Kë e goditi dhe kë e mbështeti O’Brien?” ishte tema e së martës ku u dhanë qëndrime të ndryshme sa i përket mesazheve që ndihmëssekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien dha për Kosovën dhe Serbinë.

Profesori dhe njëherësh analist politik, Nexhmedin Spahiu ka thënë se mesazhet e O’Brien kanë qenë të qarta dhe se ai ka përcjellë ato pika që Amerika do që Kosova t’i realizojë, përfshirë edhe zbatimin e marrëveshjes së arritur me Serbinë.

Për Spahiun, deklarimet e zyrtarit amerikan ishin të drejtpërdrejta dhe të hapura.

“O’Brien ishte i hapur, i drejtpërdrejt, nuk përdori shumë diplomaci”, ka thënë Spahiu.

Nga ana tjetër analisti dhe njëherësh gazetari, Adrian Çollaku dha një qëndrim krejtësisht tjetër.

Ai ka thënë se politika e SHBA-së është shumë e qartë dhe se ajo konsiston me faktin se “Amerika do t’i kryejë punët e veta”.

“Zyrtari i lartë amerikan dhe politika e SHBA-së është shumë e qartë. Këta dojnë me i kry punët e veta dhe këta shohin lojtarë. Zotri Kurti është një lojtar shumë i mirë, por nga pak i bën telashe”, ka thënë Çollaku në Kanal10.

Për Kurtin, Çollaku nuk i kurseu kritikat e as ironitë. Ai tha se qëndrimet e kryeministrit kanë ndryshuar dhe se tani ai është bërë “pambuk”, ndërsa përmendi në veçanti asociacionin, për të cilin tha se Kurti e ka pranuar.

“Shpesh kur e shoh opozitën dhe disa që i thojnë Albin Kurtin “antiamerikan” më vjen më qesh. Albin Kurti është bërë pambuk”, tha Çollaku.

Në ndërkohë analisti politik, Krenar Shala është shprehur kritik ndaj deklarimeve të O’Brien sa i përket asociacionit, pasi sipas tij, diplomatët nuk po japin garanci se në këmbim do të ketë njohje të reja për Kosovën.

“Ata sen s’po garantojnë, nuk bahet diplomacia si në pazar të kerreve. Ata po mendojnë që ne në Kosovë s’po kuptojmë kurgjo, aq na marrin joseriozë”, tha Shala.

Komentatorja politike, Shqipe Pantina ka thënë se “goditjet” që O’Brien ia dha qeverisë janë vërejtjet për moszbatimin e zotimit të marrëveshjeve dhe mungesën e komunikimit dhe koordinimit me Qeverinë e Kosovës.

“E para pozitive është fakti që theksoi që raportet mes dy shteteve janë të palëkundura sepse ato nuk janë ndërtuar nga ndonjë lider kryeministër ose president dhe nuk mund të prishen nga një kryeministër ose president sepse është një investim nga të dyja anët. Kurti nuk mundet me i prish ato ndonëse ka luhatje. E tash për goditjet nëse mund të quhen, e para, foli për moszbatim të zotimeve. Më shqetësues ishte fakti që ai tha një gjë të tillë se “ne po kërkojmë diskutim, koordinim dhe komunikim”, që nënkupton se këtu nuk ka ndonjë komunikim të mirëfilltë mes qeverisë sonë dhe SHBA-ve”, shtoi ajo.

Ndërkaq, Fatime Hajdari ka thënë se deklarimet e O’Brien duhet të merren në frymën e partneritetit dhe bashkëpunimin me Kosovën.

“Në fjalinë që ai thotë që herë pas here kemi edhe mosmarrëveshje por kjo ndodh mes miqve, do të thotë se ai këtu i referohet kryeministrit, nuk i referohet qytetarit”, ka thënë Hajdari.

Analisti politik Nexhmedin Spahiu, i cili ka thënë se qëndrimet e fundit të LDK-së sa i përket zbatimit të marrëveshjeve janë katastrofale.

E shpejtë dhe ironike ishte kundërpërgjigja e Pantinës, e cila i tha Spahiut se i vjen mirë që ai sot ndihet i sigurt, duke ia rikujtuar një deklaratë të mëhershme që ai kishte bërë për Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa kjo qe arsyeja që debati agravoi me tyre.

Sipas Pantinës, Spahiu kishte thënë se “Albin Kurti do të shkojë edhe më tutje, jo vetëm që do t’i arrestojë Isa Mustafën e Hashim Thaçin por edhe do t’i ekzekutojë”, ndërsa kishte theksuar se “ka frikë për veten dhe Matoshin”.

I acaruar nga kjo deklaratë, Spahiu ka mohuar që ndonjëherë të ketë thënë një gjë të tillë, duke e quajtur të tërin si “fake news”.

“Mos u merr me fake news”, ka thënë Spahiu.

Megjithatë, Pantina e bindur ka theksuar se ai nuk është lajm i rremë.

“Vetë e ke shkru me dorë tane”, i është kundërpërgjigjur Pantina.

Ndërkaq, tonet e ashpra dhe debatet nuk u ndalën me kaq.

Përplasje mes Spahiut dhe Pantinës kishte edhe për njohjen e ndërsjellë.

Ndër të tjera u diskutua edhe për deklarimin e O’Brien se pret që Radoiçiqi të arrestohet.

Analisti Shala është shprehur i bindur se Vuçiq asnjëherë nuk do ta arrestojë Radoiçiqin, meqë siç tha ai, ky i fundit ia rrezikon pushtetin.

“S’guxon Vuçiq kurrë me arrest Radojçiqin, ia rrezikon pushtetin”, ka thënë Shala.

Ndërkaq mendim tjetër pati Pantina, e cila tha se kushti i vetëm që Serbia mund ta bëjë dorëzimin e Radojçiqit është vetëm në këmbim të ndonjë shpërblimi.

Ndryshe, të hënën ndihmëssekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, mesazhet për Kosovën dhe Serbinë i ka dhënë në një intervistë ekskluzive në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.

O’Brien ka thënë se me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin kanë biseduar për disa orë për përparimin ekonomik të Kosovës, si dhe mundësitë që Kosova të ecë më shpejt drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa ka theksuar se rruga e vetme për të shkuar përpara është zbatimi i marrëveshjeve.