Limaj numëron një nga një aferat korruptive gjatë qeverisjes Kurti: Ku po mbesin ato para?
Foto: Laura Hasani

Limaj numëron një nga një aferat korruptive gjatë qeverisjes Kurti: Ku po mbesin ato para?

Aktuale October 23, 2024 - 23:04

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka renditur aferat korruptive të qeverisë Kurti.

Ai ka thënë se për katër vjet qeverisje nuk ka pasur përmirësime as në arsim, shëndetësi apo në punësim.

“Çka ka ndodhur për katër vite, shëndetësia është keq, arsimi keq, çmimet janë në qiell, nuk e di a e dini por 40% janë rritur çmimet që nga viti 2019. Kur ju dilni thoni që një kg kushton 90 cent me e bë 70, sepse thotë do ta heqi TVSH-në nga artikujt ushqimor sidomos për artikujt e shportës dhe ju e shihni se në çdo market, ai artikull ka shkuar 1.20 ose 1.30, kjo tregon qe jo vetëm që nuk e ka mbajtur premtimin, por ka ndodhur e kundërta”, tha Limaj.

Limaj ka folur për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se qytetarët e Kosovës paguajnë rrymë më së shtrenjti në rajon.

Ai po ashtu ka hedhur dyshime se ku kanë mbetur rreth 100 milionë euro që janë ndarë për energji elektrike.

“Energjia, ne e paguajmë energjinë elektrike më se shtrenjti në rajon, është shumëfishuar, bile është rritur çmimi fsheht nga opinioni. Ende nuk kemi shpjegime se çka ka ndodhur me paratë që janë dhënë gjatë luftës në Ukrainë, janë diku mbi 100 milionë euro që nuk ka shpjegim se ku kanë mbetur ato para. Kemi rritje enorme e në anën tjetër nuk kemi rritje të pagave, nuk ka investime kapitale”, tha Limaj në Kanal10.

Limaj gjithashtu ka thënë se për katër vjet, kjo qeverisje i ka pasur në dispozicion 12 milionë euro, ndërsa theksoi se sot ajo nuk ka asnjë projekt apo investim që mund të krenohet.