Konfirmohet, të enjten seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për keqmenaxhimin në KEK
Foto: Laura Hasani

Konfirmohet, të enjten seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për keqmenaxhimin në KEK

Aktuale October 23, 2024 - 17:59

Kuvendi i Kosovës të enjten (24 tetor) do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, e thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Siç njofton Drejtoria për media dhe marrëdhënie për publikun e Kuvendit të Kosovës, në seancën e së enjtes, që do të fillojë në orën 12:00 do të debatohet për skandalet dhe keq menaxhimi në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka theksuar se në emër të 43 deputetëve të nënshkruar, ka thirrur seancën e jashtëzakonshme.

“Kjo kërkesë është bërë për të adresuar skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), që kanë ngritur shqetësime të mëdha për publikun dhe institucionet”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Kujtojmë se deputetët e LVV-së kanë bërë të ditur kohë më parë se nuk do të marrin pjesë në seancat e jashtëzakonshme që ftohen nga partitë opozitare.