LVV-ja s’shkon as në seancën e nesërme të jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për “skandalet në KEK”

LVV-ja s’shkon as në seancën e nesërme të jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për “skandalet në KEK”

Aktuale October 23, 2024 - 16:03

Opozita ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për nesër për të debatuar për “skandalet në KEK”. VV nuk do të shkojë. Deputeti i partisë në pushtet, Enver Dugolli, thotë se bojkoti i tyre do të vazhdojë derisa të ndërrojë mendje opozita dhe të votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

Partitë opozitare kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme për nesër, të katërtën me radhë brenda këtij muajit. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi tha se kjo kërkesë është bërë “për të adresuar skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës”.

“Në emër të 43 deputetëve të nënshkruar, kam thirrur seancën e jashtëzakonshme, e cila do të mbahet nesër në orën 12:00. Kjo kërkesë është bërë për të adresuar skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), që kanë ngritur shqetësime të mëdha për publikun dhe institucionet”, ka shkruar ai.

Njëjtë siç nuk morën pjesë në tri seancat tjera të jashtëzakonshme, Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë as në seancën e nesërme.

Këtë e konfirmoi deputeti i VV’së, Enver Dugolli, në një përgjigje për Express. Ai tha se nuk do të marrin pjesë në nismat e opozitës  derisa kjo e fundit të ndërrojë mendje dhe t’i votojë “të paktën” marrëveshjet ndërkombëtare”.

Dugolli thotë se nuk janë në kuvend “që t’ua mirëmbajnë agjendat para-elektorale opozitës”.

“Asgjë nuk ka ndryshuar. Derisa opozita nuk ndryshon mendjen dhe të voton të paktën marrëveshjet ndërkombëtare, ne nuk marrim pjesë në asnjë nisëm të tyre. Nuk jemi në kuvend qe të ua mirëmbajmë agjendat para- elektorale të opozitës. Ndoshta e keni parë edhe ju, nga mbi 40 nënshkrime qe i bëjnë, në këto seanca ata (opozita) nuk arrijnë t’i kenë as gjysmën e tyre. Kjo tregon qe në thelb nuk janë parimore e aq më pak serioz , sepse në të kundërtën ata do duhej ti kishin të paktën deputetët e vet”, tha Dugolli për Express.

KDI dhe IKD e kritikojnë pushtetin

Pasi Vetëvendosja nuk shkoi në tri seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga opozita, kjo parti u kirikua nga KDI dhe IKD.

Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se është e paprecedentë që partitë në pushtet ta përdorin bojkotin si instrument politik parlamentar kur ata duhet të ishin përgjegjës për funksionimin dhe mbarëvajtjen e punimeve në Kuvend.

KDI shtoi se është i papranueshëm veprimi i kryekuvendarit Konjufca që të shmangë udhëheqjen e seancave të thirrura nga opozita.

“Është e paprecedentë që bojkoti si instrument politik parlamentar, shfrytëzohet nga partitë në pushtet, të cilat, në fakt, do të duhej të ishin përgjegjëse për funksionimin dhe mbarëvajtjen e punimeve plenare të Kuvendit. I papranueshëm është edhe veprimi i kryetarit Glauk Konjufca për të shmangur udhëheqjen e seancave të fundit të thirrura nga opozita – përkundër që ky përbën një obligim të tij kushtetues.”

Ndërsa, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar nga VV që të largohet nga rruga e bojkotit kundërkushtetues.

IKD ka thënë se debatet parlamentare janë shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe përfaqësimit demokratik dhe se deputetët e shumicës parlamentare e kanë obligim të marrin pjesë në diskutimin e cështjeve që prekin interesat e qytetarëve dhe shtetit.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim të thellë për këtë situatë dhe kërkon nga LVV të largohet nga rruga e bojkotit kundërkushtetues.  Kjo praktikë dhe qasje e LVV është e pazakontë dhe cenon rëndë vlerat demokratike të Republikës se Kosovës.  IKD konsideron se debatet parlamentare janë shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe përfaqësimit demokratik,  deputetët e shumicës parlamentare e kanë obligim  të marrin pjesë në mënyrë aktive në diskutimin e çështjeve që prekin interesat e qytetarëve dhe të shtetit. Bojkoti i seancave parlamentare dëmton jo vetëm integritetin e Kuvendit por edhe injorim ndaj qytetarëve të Kosovës.”

IKD u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të përmbushin detyrimet e tyre që rrjedhin nga Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme dhe obligimet ndaj qytetarëve të Kosovës dhe vlerave demokratike që Republika e Kosovës i ka marr përsipër në rrugën e saj drejtë integrimit evropian.