Analistët: O’Brien me mesazhe dashamirëse në Prishtinë
Foto: Laura Hasani

Analistët: O’Brien me mesazhe dashamirëse në Prishtinë

Aktuale October 22, 2024 - 23:42

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, të hënën qëndroi për vizitë në Kosovë, ku u takua me kreun e ekzekutivit, Albin Kurti.

Politologu Melazim Koci para se të fliste për mesazhet që amerikani solli në Kosovë u ndal të vizita që ai pati në Serbi bashkë me zyrtaren e lartë të BE-së e të cilën nuk e pati në delegacion kur qëndroi në Prishtinë.

Koci tha se atje ishin për të mbështetur Vuçiqin që të mos shkonte në Kazan në Samitin e BRICS-it. E dyta, sipas tij, është se në Kosovë ka qëndruar me qëllimin që status-quo-ja tashmë të ruhet.

“Për SHBA përfshirja e ushtarëve të tyre në çfarëdo incidente qofshin ato do të ishte e dëmshme për demokratët pas dy jave në zgjedhje. Mendoj që këto kanë qenë synimet dhe këtë ne e pamë gjatë qëndrimit në Prishtinë. Në Beograd kishte mesazhe tjera ndërkaq në Prishtinë ishin më dashamirëse”, tha ai.

Kocit në Beograd mesazhet ishin shumë më të ashpra për Kosovën. Sipas tij, në Beograd mesazhet ishin shumë më të ashpra për Kosovën.

Koci madje nuk e ka përjashtuar mundësinë që vizita e së hënës e zyrtarit të lartë amerikan të ketë qenë përshëndetëse me Kosovën.

“Mund të ketë qenë vizitë përshëndetëse e tij me Kosovën. Ai e di që nëse fiton ish-presidenti Trump, O’Brien nuk besoj që do të gjendet në atë pozicion, sepse Trump do të sjellë njerëzit e vetë. Do të jetë hendikep për Kosovën sepse O’Brien është njohës i jashtëzakonshëm e mik i Kosovës, më shumë se 25 vite e ndjekë Kosovën edhe kjo mund të jetë një nga motivet”, tha ai në RTK.

Dugolli: Mesazhe Serbisë lidhur me zhvillimet për samitin e Briksit

Edhe panelisti tjetër i debatit, profesori universitar Bujar Dugolli tha se vizita e O’Brien ka pasur si qëllim që t’i qojë mesazhe Serbisë lidhur me zhvillimet për samitin e Briksit që Serbia pati paralajmëruar që do të ishte jetë pjesë e tij.

“Si duket ofertat e mëdha e investimet perëndimore e kanë zbutur Serbinë që të mos shkojë te ajo linja proruse, por të kthehet ngadalë. Kontratat që janë bërë qoftë për litiumin qoftë kontratat për energjinë tregojnë që perëndimi ka arritur ta kthejë kah orbita e vetë Serbinë”, tha tutje Dugolli.

Sipas tij, ndonëse ende jo përfundimisht, por sinjalet pozitive janë të qarta. “Si duket misioni i Hill-it po ka sukses në atë gjuhën e diplomacinë që e ka bërë e që shpesh komunikimi i tij nuk na ka pëlqyer neve, por po shihet që kjo administratë e ka pasur qëllim të vetin që Serbinë ta kthej nga orientimi perëndimor”, tha tutje ai.

Profesori universitar, Bujar Dugolli tha se pas atij suksesi që kanë bërë në raport me Serbinë me ato kontratat e leverdishme, SHBA duhet të kthehen te një politikë reale sepse Kosova nuk ka pranuar të punojë në dëm të interesit të vet për shkak të interesave ndërkombëtare kur është në pyetje me dialogun me Serbinë, ndërsa raportet tjera i ka mbajtur të shkëlqyeshme si të aspektit të sigurisë dhe koordinimit të politikës së jashtme.

“Për atë e tha edhe O’Brien që vështirësitë janë mes miqsh. Ne i kemi ruajtur elementet tjera ndërkaq në raport me Serbinë i kemi mbajtur qëndrimet tona që mendoj që është e mirë dhe e drejtë dhe në këtë aspekt suksesi i Kosovës në terren duke i shuar ato struktura paralele të Serbisë është diçka e mirë dhe njëfarë mënyrë si unë e lexova intervistën ka një kënaqësi nga SHBA për rezultatin që është arritur me këtë minimum incidentesh që u shkaktuan nga viti i kaluar e sot rezultati është qetësia dhe jeta normale në veri që mendoj që secili ndërkombëtar në njëfarë mënyrë jo me një aplaudim të madh medial, por në ndër dije kuptojnë që ka qenë mision i suksesshëm”, theksoi ai.

Kryeziu: SHBA-ja ka kërkuar bashkëpunim në veprime

Profesori universitar, Kadri Kryeziu, tha se në mesin e marrëveshjeve më e rënda është ajo për Asociacionin. Ai duke përmendur deklaratën e O’Brienit, momentumin e zbatimit të marrëveshjeve, tha se marrëveshjet ndërkombëtare, pavarësisht kohën, do të zbatohen sepse janë obligative.

“Këtu është një farë lloj ure e zgjidhjes së problemit. Kryeministri ka për detyrë që draftin (v.j) ta çojë në Gjykatën Kushtetuese, me një vendim, me një dekret, sepse ka obligim kushtetues e ndërkombëtar”, tha Kryeziu, derisa shtoi se kjo duhet të dërgohet edhe për shkak të integrimeve të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

“Po të kishte dërguar më herët në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin, ne do të ishim në Këshillin e Evropës”, tha Kryeziu.

Ai më tej shtoi se marrëveshjet ndërkombëtare, për Kosovën edhe nuk mund të jenë të mira, të rëndësishme, por për SHBA-në, BE-në, janë të rëndësishme, teksa tha se Kosova ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me ndërkombëtarët për zgjidhjen e problemit të Kosovës në raport me Serbinë.

Kryeziu, theksoi e SHBA-ja ka kërkuar bashkëpunim në veprime. Sipas tij veprimet ne veri kanë qenë ligjore, por duhet shikuar efektet në veprime, sepse, vuri në dukje ai, Kosova nuk është vetëm karakter nacional, por edhe ndërkombëtar, prandaj tha ai, duhet koordinim me ndërkombëtarët. Sipas tij mesazhi i O’Brien-it ishin se duhet kryer punët e shtëpisë.

Në mundësinë e ndryshimit të politikës së SHBA-së karshi Kosovës, nëse Trump fiton zgjedhjet, Koci tha se nëse ndodhë diçka e tillë, ‘Marrëveshja franko-gjermane’ do të vdesë.

Ndërsa Dugolli shtoi se edhe me administratën e Biden-it nuk kemi parë ndryshim të politikave nga Trump-it ndaj rajonit. Kurse Kryeziu nënvizoi se asnjë president amerikan nuk i ka bërë keq Kosovës dhe që politika strategjike e SHBA-së nuk ndryshon në raport me Kosovën.