Sekuestrimi i mbi 10 kilogramëve kokainë, Sveçla: Krimet do të luftohen pa dallim, të gjithë do të sillen para ligjit
Foto: Laura Hasani

Sekuestrimi i mbi 10 kilogramëve kokainë, Sveçla: Krimet do të luftohen pa dallim, të gjithë do të sillen para ligjit

Aktuale October 22, 2024 - 16:08

Mbi 10 kilogramë kokainë në vlerë 450 mijë euro, u sekuestruan të hënën në magjistralen Fushë-Kosovë-Prishtinë, pas një operacioni policor.

Lidhur me këtë rast ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se i dyshuari i cili është arrestuar është i përfshirë në aktivitete të shumta kriminale.

Sveçla ka përgëzuar edhe policinë për aksionin e tyre të suksesshëm.

“Përgëzoj Policinë e Kosovës për aksionin e suksesshëm që rezultoi me sekuestrimin e mbi 10 kilogramëve substancë narkotike kokainë në vlerë 450 mijë euro, 1445 eurove, 8970 dinarëve, dy telefonave celularë, 17 kartelave grafike për prodhimin e kriptovalutave, si dhe me arrestimin e të dyshuarit i cili rezulton të jetë i përfshirë në aktivitete te shumta kriminale”, ka shkruar Sveçla.

Ministri ka shtuar se të gjithë që kryejnë vepra penale do të sillen para ligjit.

“Siç kam theksuar në vazhdimësi, aktivitetet policore në luftimin e krimeve pavarësisht llojit të krimit, por edhe përkatësisë nacionale do të jenë të pandalshme dhe të gjithë pa dallim do të sillen para ligjit”, u shpreh ministri Sveçla.