Meta në “rrjetën” e SPAK-ut, ç’dihet deri tash për rastin ish-presidentit të Shqipërisë?

Meta në “rrjetën” e SPAK-ut, ç’dihet deri tash për rastin ish-presidentit të Shqipërisë?

Aktuale October 22, 2024 - 15:53

Iu vunë prangat një tjetër emri të madh të politikës shqiptare. Ilir Meta, aktiv në veprimtarinë e pushtetit shtetëror që prej viteve ’90, u arrestua. President, kryeministër, kryetar Kuvendi, ministër i Jashtëm, ministër i Ekonomisë, deputet. Pothuajse nuk ka pozitë të lartë shtetërore që s’e ka mbajtur gjatë karrierës së tij. Tash, atij i duhet të përballet me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Forca speciale të Policisë së Shtetit e ndaluan në hyrje të Tiranës automjetin në të cilin gjendej ai, ndërsa e kishin përcjellë me automjete civile.

Pasi e kaloi fundjavën në Kosovë, ai po shkonte në selinë e Partisë së Lirisë, ku ishte paralajmëruar të mbahej një konferencë për media, kur u ndalua dhe u arrestua me forcë.

Arrestimi i politikanit që për shumë kohë si moto të tij e kishte sloganin “me qetësi, me dashuri” u bë me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që përdori edhe forcën, pasi Meta dhe përcjellësit e tij rezistuan paksa.

Genc Gjokutaj, avokat i Ilir Metës, tregoi se akuzat kanë të bëjnë me korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, ndërsa klienti i tij po dërgohej fillimisht në Drejtorinë e Policisë në Tiranë e më pas në Bllokun e Sigurisë (qendra ku dërgohen fillimisht të arrestuarit).

Ai e quajti “banditeske” mënyrën e arrestimit të Metës. Tha se ish-presidenti “është i vendosur të përballet me procesin” dhe “gati për ta bërë mbrojtjen për akuzat që nuk kanë lidhje me të”.

“Mënyra se si u arrestua ishte banditeske: i rrëmbyer në rrugë një ish president dhe një ish kryeministër. Nuk ka pasur asnjë lloj problemi për ta thirrur si në SPAK dhe gjithandej”, tha Gjokutaj.

Policia e Shtetit tha se iu imponua përdorimi i forcës për ta nxjerrë Ilir Metën nga automjeti dhe për ta prangosur.

“Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht. Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij, për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë”, u tha në një njoftim të lëshuar vonë pasdite.

Sipas Policisë, Meta “ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë”. Kjo, siç thuhet në njoftim, erdhi pasi “drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit I.M., vendimin e gjykatës për masën e sigurisë ‘arrest në burg’ dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti”.

Monika Kryemadhit, ish-bashkëshortes politikane të Metës iu vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Të dy, dyshohet se janë përfshirë në marrëdhënie korruptive me një biznesmen (S.M).

Edhe kryetari i Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Piro Xhixho është implikuar në këtë rast. Atij i është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Çka thotë SPAK-u?

Prokuroria e Posaçme njoftoi se ndaj Ilir Metës të hënën u zbatua vendimi për masën e sigurisë “arrest në burg”.

SPAK-u tha se ky arrestim vjen pas hetimeve të nisura nga viti 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen për “korrupsioni pasiv” në tri raste, dy nga të cilat në bashkëpunim, për “pastrim të produkteve të veprës penale”, vepër që sipas SPAK është kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë. Ai akuzohet edhe për “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”.

Personi në “arrest në shtëpi”, Piro Xhixho, dyshohet gjithashtu për “korrupsion pasiv”.

SPAK-u thotë se ka episode të dokumentuara se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në bashkëpunim edhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale.

“Është provuar se ish-ministri i ekonomisë, tregtisë dhe energjetikës, Ilir Meta ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje, një kontratë për asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura”, njoftoi SPAK-u.

Kështu, Prokuroria e Posaçme thotë se është bërë e mundur që DIA të përzgjidhet për t’i kryer shërbimet e mbledhjes së buxheve të CEZ-it, edhe pse nuk i përmbushte kriteret ligjore dhe profesionale.

“Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje, ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën 649,803,520 lekë (mbi 6 milionë euro), sipas SPAK-ut.

Për Metën, Prokuroria thotë se hetimet kanë zbuluar se si ministër i Ekonomisë “ka kërkuar dhe ka pranuar shuma të konsiderueshme parash” nga një person, duke kryer kështu “korrupsionin pasiv”.

Edhe kur Meta ishte kryetar i Kuvendit dhe Kryemadhi deputete në vitin 2014, SPAK-u thotë se vazhduan me vepra penale. Ata, siç thotë SPAK, ndikuan te drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe te drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.

“Si rezultat i kësaj influence të paligjshme Meta dhe Kryemadhi kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit”, thotë SPAK-u.

Xhixho, ndërkaq, dyshohet se e ka shfrytëzuar autoritetin e tij si kryetar i AKEP-it, si i propozuar i partisë së Metës dhe Kryemadhit, për të zbatuar porosi të marra nga ta dhe për të ndikuar më pas te drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes. Ai thuhet edhe se e ka lejuar kompaninë private që ta ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Kështu, SPAK-u thotë se të tre kanë kryer “korrupsionin pasiv”.

Çifti Meta-Kryemadhi dyshohet se kishin përfituar edhe një vilë, duke bashkëpunuar në mënyrë korruptive me një biznesmen. SPAK-u thotë se kjo u erdhi si shpërblim për influencën e paligjshme që kishin ushtruar ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga partia e tyre (LSI), në interes të bizmesmenit, që është nën hetim. Sipas porosive të biznesmenëve M.K. dhe S.M., thuhet se Meta e Kryemadhi kishin marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvend.

Meta akuzohet se në vitet 2016 dhe 2017 kishte lidhur kontrata lobimi me dy kompani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mos i deklaruar 463.546,26 dollarë transfer bankar në bilancet e pasqyruara të partisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Çifti Meta-Kryemadhi hetohen edhe për blerjen e një apartamenti pranë qendrës së Tiranës, që ata e kanë deklaruar si të vlerë me kredi bankare. SPAK tha se hetimi ka zbuluar se 310 mijë euro për blerjen e katit të parë ishin derdhur cash në bankë nga F. K. Këto para, Prokuroria e Posaçme dyshon se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm dhe se kredia “është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare”.

SPAK thotë gjithashtu se çifti i ndarë publikisht nuk kanë deklaruar mbi 106 mijë euro shpenzime mjekësore të kryera gjatë viteve 2013 – 2019. Rreth 87 mijë euro, thuhet se ishin paguar në ‘cash’.

Meta: U rrëmbeva vetëm për shkak se i mbrojta interesast kombëtare

Ilir Meta, aktiv në politikën shqiptare që prej viteve ’90, po e kalonte natën e parë në ndalim ndërsa u publikua një postim në faqen e tij në Facebook mbrëmë.

“Nga sot lufta jonë nis një faqe të re në përballjen pa asnjë kompromis me Narkoshtetin e instaluar brutalisht”, shkroi ndër tjerash ai, duke u shprehur i bindur “në fitoren e kauzave kombëtare dhe demokratike”.

“Armiqtë e kombit tonë dhe demokracisë do u ngrijë e qeshura në buzë! Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat. Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj edhe shumë në pafajësinë time të plotë. Ndihem krenar që jam rrëmbyer dhunshëm nga antishqiptarët dhe shqipfolësit vetëm për patriotizmin tim dhe mbrojtjen e interesave kombëtare”, shkroi Meta.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi përmendi çështjen e kufijve të Kosovës, ndërsa foli në një konferencë për media për “arsyen e vërtetë” të arrestimit të Ilir Metës.

“Arsyeja e vetme, apo ‘akuzat’ e vetme për të cilat Ilir Meta është ndaluar sot, janë këto që po i rendis më poshtë: është mbrojtja e interesit kombëtar, mbrojtja e çështjes së Kosovës – dhe ju e dini betejën që presidenti Meta ka bërë për t’i dhënë fund skenarit ogurzi të ndryshimit të kufijve të Kosovës. Është beteja e tij e jashtëzakonshme për mbrojtjen e çështjes së detit…”, tha ai.

Meta kishte qëndruar për më shumë se tri orë përballë hetuesve në Prokurorinë e Posaçme në qershor. Thoshte se ishte pyetur “për gjëra të kota”, që sipas tij, kishin të bënin me veprimet e të tjerëve.

Atëherë u mësua se ai ishte pyetur rreth çështjeve që lidhen me pasurinë e familjes. Deklaronte se e këtë çështje merrej Kryemadhi, me të cilën thoshte se ishin në proces divorci.

Puna e SPAK-ut lavdërohet nga SHBA-ja

Departamenti Amerikan i Shtetit përmend arrestimet e nivelit të lartë të urdhëruara nga SPAK-u, ndërsa thotë në raportet e tij se sistemi gjyqësor në Shqipëri po bëhet më i pavarur falë veprimeve të Prokurorisë së Posaçme.

Diplomatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë si “të jashtëzakonshme” punën e SPAK-ut në trajtimin e korrupsionit.

Drejtoresha për Çështjet e Evropës Jugore-Qendrore në Departamentin amerikan të Shtetit, Colleen Hyland, përmendi më 16 shtator se sa problem i madh është korrupsioni në Ballkanin Perëndimor. Shqipërinë, e përmendi si shembull pozitiv në këtë aspekt.

“Shqipëria ka bërë një përparim të shkëlqyer falë edhe SPAK-ut, që është një organizatë, e cila ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Sondazhet tregojnë se SPAK-u ka fituar respektin e qytetarëve të vendit, sepse ajo ndihmon vendin që t’i trajtojë çështjet e korrupsionit”, ka thënë zonja Hyland në konferencën e tretë rajonale “Balkanomics”.

SPAK-u është vënë në qendër të vëmendjes vitet e fundit, pasi një numër i madh politikanësh u detyruan të paraqiteshin në objektin e kësaj Prokurorie Speciale në Tiranë. Nga Aty, disa nuk dolën të lirë.

Arrestimet dhe hetimet përfshinë emra të rëndësishëm të socialistëve, por emri më i madh ishte nga opozita.

Ish-kryeministri Sali Berisha përfundoi gjithashtu nën hetim dhe tash ndodhet në arrest shtëpiak. Prokuroria e Posaçme e akuzon atë për korrupsion në procesin e privatizimit të kompleksit sportiv Partizani. SPAK thotë se ai e ka shfrytëzuar postin e tij të kryeministrit, duke e favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin si një nga ish pronarët e truallit të ish kompleksit sportiv Partizani, ku më pas u ndërtuan një grup pallatesh, shkruan Express.

Hetimet e SPAK-ut ia dogjën karrierën politike edhe ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili nga majat e pushtetit ku ishte, tash ndodhet në arrati.

Në krye të SPAK-ut qëndron Altin Dumani, një prokuror që vlerësohet si i preferuari i amerikanëve. Nga opozita arrestimet cilësohen si të nxitura politikisht.