Shifra shqetësuese, 96 mjekë e lanë Kosovën nga janari deri sot
Foto: Laura Hasani

Shifra shqetësuese, 96 mjekë e lanë Kosovën nga janari deri sot

Aktuale October 22, 2024 - 15:05

Shifra shqetësuese të ikjeve të mjekëve nga Kosova janë bërë të ditura sot nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Vetëm nga janari e deri më sot Kosovën e kanë lëshuar 96 mjekë. Ndërkaq, vitin e kaluar nga institucionet shëndetësore në Kosovë janë larguar 167 mjekë.

Largimi i mjekëve nga Kosovë për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës mbetet sfidë për institucionet e vendit, pasi ikja e tyre është reflektuar në mungesë të stafit institucionet shëndetësore në vend. Ky trend ka vazhduar edhe këtë vit e shifrat janë shqetësuese.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka thënë sot për gazetën Express se nga janari i këtij viti e deri më sot 96 profesionistë mjekësorë e kanë lënë Kosovën.

Ai dha shifra edhe për vitin e kaluar.

“Deri me sot janë 96 mjekë që kanë marrë dokumentin e “pastërtisë profesionale” (good standing), kurse vitin e kaluar 167 mjekë kanë marrë dokumentin respektiv”, ka thënë Sejdiu për Express.

Në shkurt të këtij viti, teksa po raportonte në Komisionin për Shëndetësi, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, kur u pyet nga deputetët nëse ka një strategji për ta ndalur këtë dukuri dhe në përgjigje Vitia thotë se me këtë problem përballen edhe vendet perëndimore dhe shprehur drojën se ikja do të vazhdojë.

“Në shkurtin e vitit 2023 mendoj që ka qenë rritja më substanciale për mjekët specialistë, kjo ka qenë e para në këtë funksion, sa i përket kushteve të punës, po në QKUK janë duke u bërë transformime rrënjësore në shumë prej klinikave të cilat kanë pas nevojë që të investohet për shumë vjet me radhë, në anën tjetër specializantët të cilët gjatë vitit 2020, kanë marrë specializime me vetëfinancim, ka vazhduar subvencionimi i vazhdueshëm i tyre përkundër që kanë nënshkruar një kontratë ku ata pranojnë që ata vet t’i bartin shpenzimet e këtij specializimi, por një gjë e kam vërejtur është që ky migrim është i pashmangshëm, po vazhdon edhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor por po vazhdon edhe në vende si Gjermania duke ikur në Zvicër dhe ky është një fenomen që ne përkundër të gjitha masave që i kemi marrë në përmirësimin e rrogave, shtesave, kushteve, pajisjeve, kam drojën që do të vazhdojë. Ideja është që ne duhet të bëjmë planifikime duke u bazuar edhe në këtë drejtim”, pati thënë ai.

Sipas të dhënave, mjekët e Kosovës po ikin kryesisht në vendet evropiane. Kjo për shkak të kushteve më të mira të punës.

Sipas Odave të Profesionistëve Shëndetësorë, në Kosovë ka 24 mijë e 92 punonjës shëndetësorë të licencuar dhe prej tyre 14 mijë e 966 janë gra dhe 9 mijë e 126 burra.