Mjegulla në Kosovë, Policia me apel për vozitësit
Moti sot në Kosovë është duke u shoqëruar me mjegull të dendur, ku për këtë Policia e Kosovës ka dalë me një apel, pasi kjo situatë paraqet rrezik në komunikacion.
Policia në rajonin e Ferizajt ka dalë me rekomandime për të gjithë shoferët që sot gjenden në komunikacion, transmeton Zeri.info.
Apeli i plotë:
Komunikatë për media
Apel - mjegulla paraqet rrezik për shoferët!
Në rajonin e Ferizajt ka filluar shfaqja/prezenca e mjegullës në disa vende ku pozita gjeografike është më e ulët.
Apelojmë te shoferët e automjeteve të bëjnë kujdes gjatë drejtimit në mot me mjegull.
Ndërsa, rekomandojmë që:
- Mos harroni se ngasja në mjegull mund të jetë e rrezikshme!
- Mbani në vëzhgim rrugën për ndryshime të papritura të dukshmërisë, mjegulla më e dendur mund të jetë më afër lumenjve.
- Përdorni dritat e mjegullës. Nëse automjeti juaj i ka këto drita, kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës, të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin juve edhe nga një distancë më e madhe.
- Mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë. - Mbani vëmendjen, mos shpejtoni!
- Ndizni dritat gjatë ngasjes, por mos ndizni dritat me rreze të gjatë!
Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët tjerë t’ju shohin.
- Mbani ndezur dritat e shkurtra dhe të mjegullës!
- Mbani nën kontroll shpejtësinë e lëvizjes!
- Mbani krahun e djathtë të rrugës gjatë lëvizjes!