Liburn Aliu po hetohet për rastin e ambalazhuesve të ujit?
Foto: Laura Hasani

Liburn Aliu po hetohet për rastin e ambalazhuesve të ujit?

Aktuale October 21, 2024 - 18:45

Prokuroria Speciale i ka zgjeruar hetimet lidhur me rastin e ambalazhuesve të ujit.

Në këtë mes po hetohet edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Sipas burimeve të Betimit për Drejtësi, PSRK-ja ka nxjerrë aktvendim për këtë.

Klankosova ka provuar të marrë ndonjë informacion nga Specialja lidhur me këtë rast, por deri në publikimin e lajmit nuk ka pranuar përgjigje.

Ndryshe, lidhur me rastin e ambalazhuesve, më 11 tetor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi një muaj paraburgim Naser Hafizit, i cili mban pozitën ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Sipas Dosjes së Prokurorisë Speciale, borxhi që operatorët ekonomikë kishin ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ishte afër 20 milionë euro. Mirëpo, Hafizi dyshohet se kundërligjshëm ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve.

Paraprakisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 tetor 2024 ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit– zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.