O’Brieni në takim me Kurtin, Qeveria s’jep asnjë detaj se çfarë diskutuan
Foto: ZKM

O’Brieni në takim me Kurtin, Qeveria s’jep asnjë detaj se çfarë diskutuan

Aktuale October 21, 2024 - 16:33

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e ekzekutivit kosovar më 21 tetor.

Paraprakisht, Qeveria nuk ka dhënë detaje për këtë takim, që ka nisur në orën 15:00.

Image

Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka mirëpritur O’Brienin në vizitën e tij të parë në Kosovë, dhe ka thënë se bashkë me të do të diskutojnë me zyrtarë të Kosovës për çështjet bilaterale dhe do të ritheksojnë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për popullin e Kosovës.

Image

Një ditë më parë, në Beograd O’Brien u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtij takimi, lideri serb tha se takimi me zyrtarin amerikan u fokusua në “zgjidhjen politike në rajon, në situatën aktuale në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit në shumë fusha”.

Image

Sa i përket Kosovës, Vuçiq tha se ka shprehur “shqetësim të thellë lidhur me sfidat që përballen çdo ditë popullata serbe”, duke shtuar se ai ka shprehur gatishmëri për gjetjen zgjidhjeve për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Vuçiq po ashtu tha se shpreson që dinamika e dialogut dhe bashkëpunimi rajonal “të vazhdojnë me mbështetjen e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian”.

Sa i përket dialogut, O’Brien në një intervistë për transmetuesin publik serb të publikuar më 21 tetor tha se kërkon që të gjitha marrëveshjet e arritura të respektohen.

Ai tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “hap i rëndësishëm”, por kërkoi që të bëhet përparim edhe para themelimit të Asociacionit.

Që nga viti 2013, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionit. Më 2015, është arritur edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Por, marrëveshjet nuk janë zbatuar kurrë. Kosova ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të ndikojë në funksionimin e shtetit.

Së fundi, Qeveria e Kurtit është përballur me kritika nga SHBA-ja dhe shtete të tjera perëndimore. Kjo pasi, komuniteti ndërkombëtar i ka cilësuar disa veprime të ekzekutivit kosovar - përfshirë edhe mbylljen e disa institucioneve që funksiononim sipas sistemit të Serbisë – si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Qeveria ka thënë se veprimet e saj janë në kuadër të shtrirjes së sovranitetit dhe të sundimit të ligjit.

Image