Geci: Thaçi e Selimi kanë qenë në shtëpinë time në prag të publikimit të komunikatës së 59-të

Geci: Thaçi e Selimi kanë qenë në shtëpinë time në prag të publikimit të komunikatës së 59-të

Aktuale October 21, 2024 - 16:04

Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Geci, ka thënë se Rexhep Selimi dhe Hashim Thaçi kanë qenë në shtëpinë e tij në Llaushë në prag të publikimit të komunikatës së 59-të të UÇK-së.

Këtë deklaratë ai e ka dhënë gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën speciale në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Paraprakisht prokurori James Pace ka theksuar se Geci jep informata për kërcënimet dhe vështirësitë që i hasën pjesëtarët e LDK-së prej ushtarëve të UÇK-së, si dhe lidhur me autorësinë e komunikatës së 59-të të UÇK-së që ka të bëjë me Gani Gecin.

"Dëshmia e dëshmitarit përfshin informacion që ka të bëjë me autorësinë e komunikatës numër 59 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në tetor të 98-tës që etiketon të vëllain e tij, Gani Gecin si ‘bashkëpunëtor’ dhe ndikimin negativ si dhe pasojat që i ka pasur kjo komunikatë mbi të, mbi anëtarët e familjes dhe mbi të tjerët. Dëshmitari gjithashtu jep informacion lidhur me kërcënimet që i kanë bërë Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi - Tahir Zemajt, si dhe informacione lidhur me arrestimin, ndalimin dhe keqtrajtimin e përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës në ose përreth Qirezit në shtator të 98-tës, si dhe arrestimin, ndalimin dhe vrasjen e keqtrajtimin e anëtarëve të UÇK-së dhe individëve të tjerë. Po ashtu dëshmitari jep informacion lidhur me ndërveprimet, bashkëbisedimet apo njohurinë që e kanë pasur anëtarët e UÇK-së, përfshirë Rexhep Selimin, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Sylejman Selimin dhe Samedin Xhezarin lidhur me këto ngjarje", është shprehur Pace.

Për këtë komunikatë, deklaratë në Gjykatën Speciale kishte dhënë edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Gani Geci.

“Mendoj se jam i ftuar të dëshmoj për komunikatën nr.59. Prej kësaj komunikate më janë vrarë dy shokë”, kishte deklaruar atëkohë Gani Geci.