Përfaqësuesit boshnjakë thonë se vendimi i Qeverisë do të sjellë dobi

Përfaqësuesit boshnjakë thonë se vendimi i Qeverisë do të sjellë dobi

Aktuale October 20, 2024 - 21:14

Kryetari i partisë politike “Iniciativa Jonë” Azmir Miftari, thotë se vendimi për heqjen e vizave për qytetarët boshnjakë nga 1 janari, i sjell vetëm dobi Kosovës. Sipas përfaqësuesve të këtij komuniteti, topi tani ka kaluar në anën e Bosnje Hercegovinës dhe pas këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës, do të shihet se kush po i shkel të drejtat e njeriut dhe po e pamundëson lëvizjen e lire.

Lajmin e dha nga kryeqyteti gjerman.

Nga Samiti i Berlinit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se nga 1 janari, qytetarët e Bosnje-Hercegovinës, do të mund të hyjnë në Kosovë me letërnjoftim.

E këtë vendim po e mirëpresin komuniteti boshnjak në vend.

Azmir Miftari nga partia politika “Iniciativa Jonë” thotë se topi tani ka kaluar në anën e Bosnje dhe Hercegovinës.

“Ne, në partine politike Nasha Inicijativa, e kemi mirëpritur lajmin për heqjen e vizave, nga ana e Republikës së Kosovës, për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Jemi mirënjohës ndaj kryeministrit tonë për këtë vendim, sepse ka shumë nga Boshnjakët të cilit nuk kanë pasur mundësi mi pa as edhe anëtarët e familjes, për shkak të regjimit të vizave. E kuptojmë që ka edhe pakënaqësi tek bashkëvendësit tonë, për shkak të faktit që edhe Bosnja nuk është përgjigjur në të njëjtën mënyrë, por për dallim nga të tjerët ne konsiderojmë që ky hap do të sjell vetëm dobi për vendin tonë”, thotë Miftari për Teve1.

Ai i shpreson që të njëjtën gjë, ta veproj edhe shteti i Bosnje Hercegovinës.

Ndërsa ka thënë se dobitë nga ky vendim, për Kosovën janë të shumta.

“Sepse nga ky vendim, së pari do të përfiton turizmi në Kosovë. Se dyti, do të shihet qartë se kush e bllokon përparimin, kush i shkel drejtat e njeriut dhe e pamundëson lëvizjen e lire dhe kush e ngadalëson apo pamundëson edhe zhvillimin ne Ballkan. Pra, cila palë është destruktive gjatë gjithë kësaj kohe, e cila vepron në përputhje me vlerat e botës demokratike. Dhe në fund, ky vendim mund të sjell mundësi të reja për bashkëpunim në fusha të ndryshme në të ardhmen, si për shembull, kulturë, sport, arsim, tregti dhe ndërmarrësi, shprehet Miftari.

Por, në cilat raste komuniteti boshnjak në Kosovë, pajisej me vizë të Bosnje Hercegovinës?

“Me mënyrën e reciprocitetit ne jemi të obliguar si ne edhe ata deri tani me aplikua për viza. Për me marr viza duhet me arsyetua pse dhe këtu është shumë problem me marr, mundesh me marr vizën e Bosnjës veç nëse kishe pas ndonjë takim politik, ose ndonjë rast vdekje, duhet me arsyetuar me një arsye që është shumë e fortë dhe shumë shpesh kemi marr refuzime. Unë një herë kam aplikuar me pasaportë diplomatike dhe nuk kam marr vizën shumë kanë qenë strikt dhe të forta dhe burokracia ka qenë e madhe”, thotë deputetja Duda Balje.

Ndryshe, Kosova dhe Bosnja në nëntorin e vitit 2022 u dakorduan për vendosjen e regjimit pa viza mes dy shteteve.

Por kjo u bllokua nga Entiteti i Republikës Serbe në Asamblenë Kombëtare të Bosnjë dhe Hercegovinës më 27 qershor të vitit të kaluar.