Shukri Buja udhëton për në Hagë, ftohet nga Gjykata Speciale
Foto: Laura Hasani

Shukri Buja udhëton për në Hagë, ftohet nga Gjykata Speciale

Aktuale October 20, 2024 - 15:29

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Nerodimes, Shukri Buja ka njoftuar se ka udhëtuar për në Hagë me ftesë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ai ka theksuar se ky udhëtim është bërë “pa dëshirën e tij” dhe me “ftesë të detyruar”.

Buja përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka theksuar rëndësinë e UÇK-së dhe luftës çlirimtare të Kosovës, duke e quajtur atë “të shenjtë” dhe “e drejtë”.

Ai theksoi se “falë luftës së saj të armatosur dhe falë përkrahjes së aleatëve, veçanërisht nga SHBA-të, ne e gëzojmë lirinë sot”.

“UÇK ishte kundër pushtuesit, e imponueshme dhe e domosdoshme,” tha Buja, duke shtuar se “lufta çlirimtare solli lirinë dhe pavarësinë që shumë po e gëzojnë sot, ndërsa bijtë më të mirë të këtij vendi u akuzuan dhe po mbahen padrejtësisht në burg”.

Ai përfundoi me një shpresë të fuqishme për pafajësinë e bashkëluftëtarëve të tij, duke besuar se drejtësia do të triumfojë.