Niveli i korrupsionit në Ballkan, Shqipëria e para, Kosova e dyta
A e dini se cili është një nga aktivitetet më të shpeshta në Ballkan? Korrupsioni!
Sipas koalicionit Lidershipi i Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet (SELDI), në 2023-2024, 80% e banorëve të Shqipërisë rezultojnë të prirur ose për të pranuar, ose për të ofruar ryshfet. Më shumë se treçereku i popullsisë!
Nëse do të kishim të bënim me një garë, nuk do të mbeteshin mbrapa as vendet e tjera të Ballkanit. Pas Shqipërisë që zë vendin e parë, e dyta vjen Kosova, me 64%. Çmimi i tretë shkon për Serbinë, me 62%, ndjekur nga Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina; përkatësisht me 60% dhe 56%.
Mali i Zi bën një paraqitje disi më ‘dinjitoze’ në këtë raport, pasi rezulton se vetëm 48% e popullsisë janë të ndjeshëm ndaj korrupsionit.
Interesant është fakti se teksa Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Kosova, në 10-vjeçarin e fundit janë bërë disi më pozitive për reduktimin e korrupsionit, me Shqipërinë ka ndodhur e kundërta.
Optimizmi i qytetarëve të Shqipërisë ndaj politikave antikorrupsion rezulton 6% më pak se matja e mëparshme, duke zbritur në 20%.
Dhe kur humbet shpresën, humbet edhe besimin…
Kemi një rast se si pasqyra e korrupsionit në vendet e rajonit ka reflektuar edhe në besueshmërinë e qytetarëve te institucionet shtetërore.
Nga të dhënat më të fundit të Barometrit të Ballkanit për vitin 2024, 55% e vendeve të rajonit priren të mos besojnë te sistemet e drejtësisë. 64% është niveli i mosbesimit te parlamenti. 59% te qeveria, ndërsa 56% te autoritetet lokale.
Ky nivel i lartë i perceptimit të korrupsionit në Ballkan, shoqëruar me besimin e ulët te shteti, e po ashtu me vetëpërfshirjen e qytetarëve në ryshfete, krijon një ‘lëmsh ballkanik’ dhe pyetja që lind natyrshëm është si zgjidhet?. /TRT