Qytetarët e bizneset në Ferizaj vazhdojnë të kërkojnë riparimin e magjistrales Ferizaj-Prishtinë

Qytetarët e bizneset në Ferizaj vazhdojnë të kërkojnë riparimin e magjistrales Ferizaj-Prishtinë

Aktuale October 18, 2024 - 16:54

Gjendja e rrugës magjistrale prej qytetit të Ferizajt në drejtim të Prishtinës, po vazhdon të mbetet në gjendje të njëjtë tash e disa vjet duke e vështirësuar qarkullimin e qytetarëve dhe bizneseve. Rruga me gropa, sipas vozitësve shpeshherë po shkakton edhe defekte në automjetet e tyre, andaj kërkesat e bizneseve dhe qytetarëve nuk janë shqyrtuar prej vitesh.

Rreth gjendjes së rrugës, kanë reaguar qytetarët, bizneset por edhe opozita LDK-ja në këtë qytet.

Art Bytyqi, banor nga Ferizaj, njëherësh përfaqësues i një biznesi, ka thënë se gjendja e kësaj magjistrale po vazhdon ta vështirëson qarkullimin e të gjithë banorëve e bizneseve.

“Jemi ankuar disa herë nëpër rrjete sociale dhe në mënyra të ndryshme nëpër media, por pa sukses. Kjo gjendje është shqetësuese për të gjithë sepse shpeshherë po kemi edhe defekte nëpër makineri”, ka thënë ai.

Rreth kësaj çështje ka reaguar edhe kryetari i LDK-së në Ferizaj, Vizar Azemi, duke kritikuar institucionet qendrore për mos investime në këtë segment të rrugës.

“Shumë biznese të Ferizajt që operojnë përreth, po ballafaqohen me vështirësi të përditshme nga gropat e shumta dhe nga gjendja e tmerrshme e kësaj rruge nacionale. Por edhe më të tmerrshme gjendjen e bëjnë të reshurat e shiut, që depërtojnë në objektet e tyre dhe njëkohësisht ua pamundësojnë qasjen e klientëve në biznese. Ne si subject kemi dëgjuar edhe për së afërmi hallet e bizneseve që mbushin buxhetin e shtetit dhe ankesat e tyre që nuk po iu zgjidhet ky problem. Duhet ndërhyrje urgjente për këtë, sepse kriza e ndërmarrësve thellohet”, ka thënë Azemi.

Në anën tjetër ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Telegrafit lidhur me shqetësimet e ngritura për gjendjen e kësaj rruge regjionale. /telegrafi