Haradinaj udhëton drejt SHBA-së, paralajmëron takime me kongresmenë dhe zyrtarë amerikanë
Foto: Laura Hasani

Haradinaj udhëton drejt SHBA-së, paralajmëron takime me kongresmenë dhe zyrtarë amerikanë

Aktuale October 18, 2024 - 10:57

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka udhëtuar për vizitë zyrtare drejt SHBA-së, i shoqëruar nga shefi i Grupit Parlamentar, deputeti Besnik Tahiri, ka bërë të ditur zëdhënësi i AAK-së Kushtrim Xhemaili për gazetën Express.

Ai tha se Haradinaj do ta fillojë vizitën në Chicago, ku do të qëndrojë me ftesë të Universitetit të Chicagos - instituti “Pearson”, në konferencën e tyre globale, ku do të flasë për zhvillimet në Kosovë dhe rrugëtimin e Kosovës që nga liria e deri më sot.

Po ashtu Haradinaj në Chicago do të takojë një pjesë të komunitetit shqiptar.

“Vizitën e tij në SHBA ai do ta vazhdojë në New York, ku do të pritet nga federata panshqiptare ‘Vatra’ dhe do të takojë komunitetin shqiptaro-amerikan. Gjatë qëndrimit në New York Haradinaj do të takojë kongresmenë dhe zyrtarë tjerë të shtetit. Vizitën zyrtare Haradinaj do ta përmbyllë në Washington, ku do të zhvillojë takime zyrtare në tri institucionet kryesore: Pentagon, Departamentin e Shtetit Amerikan dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë”, tha Xhemaili.