KEK-u me sqarim pas raportimit për eksplodim të kazanit: S’ka vend për shqetësim
Foto: Laura Hasani

KEK-u me sqarim pas raportimit për eksplodim të kazanit: S’ka vend për shqetësim

Aktuale October 18, 2024 - 10:14

Korporata Energjetike e Kosovës ka dalë me një sqarim pas raportimit për një eksplodim të një kazani në termocentralin “Kosova A”.

Në sqarim, KEK-u thotë se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e TC “Kosova A”.

“Njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është çkyçur nga puna në mënyrë të rregullt. Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt”, thotë KEK-u.

Sipas KEK-ut, zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe i njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit.

“Korporata Energjetike e Kosovës fton të gjitha mediat dhe palët e interesit që në raste të tilla të kërkojnë informacione zyrtare nga KEK, për të evituar krijimin e panikut përmes lajmeve të pavërteta. Kjo është e rëndësishme për të siguruar që opinioni publik të jetë i informuar saktë”, thuhet në sqarim.

Sot deputeti i PDK-së Ferat Shala ka raportuar për eksplodim të kazanit në KEK, ku edhe ka publikuar video. /Zëri