Ministri Maqedonci mohon se FSK-ja e ka humbur një dron: Përkundrazi, flota e dronëve po vazhdon të shtohet
Foto: Laura Hasani

Ministri Maqedonci mohon se FSK-ja e ka humbur një dron: Përkundrazi, flota e dronëve po vazhdon të shtohet

Aktuale October 17, 2024 - 23:25

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Ejup Maqedonci, ka mohuar humbjen e një droni, siç tha sonte në Pressing në T7 anëtari i kryesisë së AAK-së Daut Haradinaj. Në një përgjigje, ministri Maqedonci tha se “flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar edhe pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet”.

Ish-deputeti Daut Haradinaj, duke iu referuar fotografive të kryeministrit Albin Kurti pranë dronëve Bayraktar tha se “amaterizimi i tyre që dalin bojnë foto me drona e ju humbin natën është humoristik dhe vepër penale”.

Haradinaj këmbënguli se informatën për humbjen e dronit e ka edhe ministri Maqedonci, “kjo është 1 miliard % e vërtetë, ai zotëria e di më më mirë, ju ka humb droni”, tha Haradinaj në Pressing.

Por, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, mohon humbjen e dronit.

“Jo që nuk ka humbur ndonjëherë ndonjë dron por përkundrazi, flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar edhe pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet. Kurse për çështjen e furnizimeve ju siguroj që në vazhdimësi pranojmë furnizime me sisteme të armatimit dhe pajisje ushtarake. Pozita ime dhe ndjeshmëria e procesit të blerjeve dhe furnizimit nuk më lejon që të jap detaje por janë shumë aktivitete të vet FSK-së ku janë shumë evidente pajisjet dhe sistemet me të cilat po furnizohemi pa ndërprerë. Të tjera po vijnë” tha Maqedonci në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express.

Madje ministri shton se “asgjë e pavërtetë që thuhet për FSK-në nuk i kontribuon zhvillimit”.

“Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet si një forcë profesionale, e ndërveprueshme me NATO-n dhe e gatshme për të kryer detyra te saj bazuar në mision. Asgjë e pavërtetë që thuhet për të nuk i kontribuon zhvillimit të saj, përkundrazi mbështetë tentativat për minimim e një pune kolosale brezash duke përfshirë edhe vet kontributin e çmuar të zotit Haradinaj për një ushtri të gatshme për mbrojtje të territorit”, tha Maqedonci për Gazetën Express.

Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia vitin e kaluar.