Opozita: S’ka kuptim votimi i planit të punës, pozita të kthehet në Kuvend
Foto: Laura Hasani

Opozita: S’ka kuptim votimi i planit të punës, pozita të kthehet në Kuvend

Aktuale October 17, 2024 - 11:00

Në mbledhjen e sotme Komisioni për Legjislacion, i thirrur për të shqyrtuar raportet e komisioneve kryesore për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve të veçanta për krijimin e bazës ligjore për nxjerrjen e akteve nënligjore nga Qeveria dhe ministrat, si dhe planin e punës së këtij komisioni për sesionin vjeshtor, deputetët e pozitës dhe opozitës u përplasën mbi zhvillimet e fundit në vend.

Deputet e opozitës me gjithë vlerësimin që thanë se i bëjnë draft-planit të punës, thanë se nuk ka asnjë kuptim votimi i këtij plani, duke qenë se pozita nuk merr pjesë në seancat e opozitës.

“Në parlament të Kosovës askush më nuk e ka shumicën,as në seanca as në komisione,nuk pe shoh që ka vullnet politik,kam rezerva që mund të kalohet ndonjë ligj më në parlament, sepse po iket nga përgjegjësia,ndërhyrja e njerëzve mbi ligjin, përgjimet, ikja prej përgjegjësisë për ushqimin e ushtrisë,po më duket e paarsyeshme”, tha Hajdar Beqa.

Ndërsa Driton Selmanaj nga LDK-ja tha se Kuvendi me muaj të tërë e ka humbur funksionalitetin.

“Janë 6 muaj që Kuvendi s’po arrin me ju kthye normalitetit ,është plan ambicioz, por i parealizueshëm, as Dejona nuk mund të kryej këtë plan”, tha Selmanaj.

E kryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi, duke prezantuar draft planin e punës, tha se ky plan synon të përmbushë agjendën e paraparë për këtë sesion,të fundit para zgjedhjeve.

“Asnjëherë plani i punës nuk është përmbushë në plotni,por megjithatë është përmbushur deri në një masë”, tha Rrustemi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, iu përgjigj dy deputetëve të vetëm të opozitës, pjesëmarrës në mbledhjen e sotme.

“Është në vullnetin tonë se sa është i realizueshëm ky plan, për sa i përket pozitës, na po marrim pjesë por ju s’po votoni, është e kotë na me ardhë me u marrë me shpifje në Kuvend, me shpifje të Listës Serbe, unë sm’uj me ardhë me debatua a ka mbet pa bukë ushtria, por vij nëse flitet a ka mbet pa tenderë Ragip Zhaba”, tha Basha.

Në fund me 5 vota për, ta gjitha nga radhët e pushtetit u votua plani i punës, Driton Selmanaj i LDK-së votoi kundër, ndërsa Hajdar Beqa abstenoi.

Komisioni i kaloi edhe disa pika të tjera të rendit të ditës mbi disa projektligje dhe amendamente. /rtk