Afrohen zgjedhjet, analistët: Gjuha e politikanëve sa vjen e ashpërsohet
Foto: Laura Hasani

Afrohen zgjedhjet, analistët: Gjuha e politikanëve sa vjen e ashpërsohet

Aktuale October 17, 2024 - 09:58

Para fushatës zgjedhore, ka filluar që të ashpërsohet edhe më shumë gjuha politike ndërmjet subjekteve politike në Kosovë. Njohës të rrethanave politike në vend e shohin më shqetësim ashpërsimin e gjuhës së politikanëve që sipas tyre, në ditët në vazhdim mund të thellohet edhe më shumë për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Të njëjtët, konsiderojnë që kjo nuk është forma më e mirë për të joshur elektorat, por duhet të ofrojnë programe cilësore.

Kanë mbetur edhe pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, spektri politik ka ashpërsuar gjuhen me akuza e kundër akuza. Njohës të rrethanave politike në vend konsiderojnë se deri në datën e zgjedhjeve gjuha e politikanëve në vend do të ashpërsohet dita e ditës, dhe e gjitha kjo, sipas tyre, bëhet për të fituar elektorat. Arton Demhasaj për Radio Kosovën ka thënë se ka muaj që fjalori i liderëve politikë, por edhe eksponateve të tjerë partiakë, është ashpërsuar.

“Pritet që sa më afër zgjedhjeve që ofrohemi, edhe më i ashpër me qenë fjalori i politikanëve e kjo me qëllimin që të tërheqin sa më shume elektorat, me këtë gjuhën e ashpër shumë herë edhe fyese e ofenduese”, ka deklaruar Demhasaj për Radio Kosovën.

Fidan Ukaj thotë se në muajt dinamikë para zgjedhjeve parlamentare, mund të dëgjojmë çdo gjë nga politikanët e që sipas tij, deri në një masë edhe janë legjitime.

“Muajt dinamikë para procesit zgjedhor po sjellin akuza dhe kundër-akuza, e të cilat deri në një masë edhe janë legjitime, sepse tregojnë për veprimet qoftë të pozitës, qoftë të opozitës”, konsideron Ukaj.

Por për Demhasajn dhe Ukajn, politikanët nuk do të duhej të ndjekin këtë rrugë, pra të ashpërsimit të gjuhës për të përfituar elektorat.

Sipas tyre, më e mira që politikanët mund të bëjnë është të ofrojnë program cilësor që prek secilin qytetar të Kosovës.