Kosovarët në Bosnjë me viza, boshnjakët në Kosovë me letërnjoftime – opozita kërkon reciprocitet
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, vendim ky i cili pritet të hyjë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm.
Pra nga 1 janari i vitit që vjen qytetaret e Bosnjë e Hercegovinës në Kosovë do të hyjnë me letërnjoftime, derisa qytetaret e Kosovës në këtë shtet për të shkuar duhet të pajisen me viza.
Përfaqësues të pozitës ketë e vlerësojnë si vendim të drejtë të Qeverisë, por në anën tjetër ata të opozitës e konsiderojnë si të padrejtë dhe të ngutshëm.
Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi njoftoi se, përkundër refuzimit të Republika Srpska për ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit, Kosova është e para në rajon që miraton një marrëveshje të tillë në Parlament. ‘’Edhe pse entiteti Republika Srpska refuzon të ratifikojë marrëveshjen e mobilitetit, Kosova është vendi i parë në rajon që e miraton këtë marrëveshje në Parlament dhe ne tani jemi duke ndërmarrë hapa konkretë për të lehtësuar lëvizjen e lirë dhe bashkëpunimin në rajon’’, tha zëvendëskryeministrja.
Ajo theksoi rëndësinë e këtij vendimi për forcimin e lidhjeve ndërmjet njerëzve dhe për lehtësimin e bashkëpunimit në rajon.
“Ky vendim përfaqëson përkushtimin tonë për përmirësimin e lidhjeve mes njerëzve në rajon dhe kurrsesi ngecjen e fluksit të njerëzve dhe mallrave sot, kur kufijtë në vendet evropiane janë fshirë dhe kur të gjithë janë të fokusuar në jetën normale dhe zhvillimin ekonomik”, tha Rexhepi.
Agon Batusha nga VV-ja e vlerësoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e vizave për qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe theksoi se ky veprim është në frymën e respektimit te të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit rajonal, në përputhje me Procesin e Berlinit dhe integrimin evropian.
“Është një hap strategjik, ne frymën e respektimit te të drejtave te njeriut dhe frymës se bashkëpunimit rajonal konform Procesit te Berlinit ne veçanti dhe integrimit evropian ne përgjithësi”, tha Batusha.
Ai më tutje theksoi se tani i mbetet Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare që të merren me Bosnjë dhe Hercegovinën dhe t’u japin fund këtyre bllokadave të pakuptimta.
“U mbetet BE-së dhe shteteve anëtare qe te merren me Bosnjë dhe Hercegovinën, e t'u japin fund këtyre bllokadave te pakuptimta nga ana e tyre”, tha Batusha për Front Online.
Xhavit Haliti, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, ka shprehur shqetësimin për vendimin e Kryeministrit Albin Kurti për heqjen e vizave për qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Ai theksoi se ende nuk ka dëgjuar një sqarim nga Kryeministri për këtë vendim njëanësh, dhe e konsideron të nevojshëm që një vendim i tillë të diskutohet paraprakisht në Qeveri dhe Kuvendin e Kosovës
“Akoma se kamë dëgjuar Kryeministrin duke sqaruar Popullin e Kosovës, lidhur me vendimin e njëanshëm, për heqjen e Vizave me vendim të Kryeministrit. Mendoj që ky vendim do të duhej që paraprakisht të ishte diskutuar në Qeveri e në Kuvendin e Kosovës”, tha Haliti.
Ai beson se ky vendim është mbështetur nga faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, siç u pa në deklaratën e z.Scharz, i cili u angazhua për të bindur Dodikun për pajtimin me përfaqësuesit kroat e boshnjak.
“Mendoj që ky vendim do të duhej që paraprakisht të ishte diskutuar në Qeveri e në Kuvendin e Kosovës. Besoj që vendimi i njëanshëm është mbështetur nga faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, kjo u pa nga deklarata e zotit Scharz, i cili u zotua që të angazhohej për ta bindur Dodik që të pajtohet me përfaqësuesit Kroat e Boshnjak që edhe Kosovarëve ashtu si vendeve tjera të Ballkanit, të ju lejohet udhëtimi me letërnjoftim në BeH”, tha Haliti.
Anëtarja e Komisionit për Integrim Evropian, nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi pret reflektim nga shteti i Bosnjës pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për lehtësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët.
“Për qytetarët boshnjak të Republikës së Kosovës është një lajm i mirë dhe presim reflektim edhe nga ana e Bosnjës”, ka thënë Krasniqi.
Tutje, Krasniqi thotë se ky vendim nuk përmirëson pozitën e Kosovës tek ndërkombëtarët.
Ajo ka përmendur edhe sanksionimin e vendit nga BE-ja, dhe fajin për të sipas saj, e ka Qeveria.
“Ky vendim nuk është signifikant dhe nuk përmirëson pozitën tonë në arenën ndërkombëtare. Përderisa Shqipëria e hapi kapitullin e parë për anëtarësim në BE, Kosova ende mbetet nën sanksione nga BE-ja dhe kjo për fajin e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti”, thotë Krasniqi.
Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj ka shprehur shqetësimin e saj për vendimin e Qeverisë së Kosovës për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ajo theksoi se është e nevojshme të ketë reciprocitet në këto çështje dhe kritikoi veprimet e ngutshme të Kryeministrit Albin Kurti.
“Normalisht se duhet të ketë reciprocitet mirëpo me këto veprime të ngutshme të Albin Kurtit nuk dihet kujt po I shërben”, tha Kadrijaj.
Kadrijaj argumentoi se, duke pasur parasysh se Bosnja nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, është e papërshtatshme që qytetarët e Kosovës të kërkojnë viza për të udhëtuar atje, ndërsa qytetarët e Bosnjës të kenë lëvizje të lirë.
Ajo sugjeroi se ishte e domosdoshme që të dyja shtetet të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë për një marrëveshje që do të njohë pasaportat dhe lëvizjen e lirë për të dy palët.
“Nëse Bosnja është një vend i cili nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës ne jemi pro lëvizjes së lirë për qytetarët po jo tu hiqen vizat qytetarëve të Bosnjës e në anën tjetër qytetarët e Kosovës duhet të kenë viza për të udhëtuar në Bosnjë, kjo nuk është e drejtë është dashur të ulen të diskutojnë dhe të jetë një marrëveshje ku të dy shtetet njohin pasaportat dhe lëvizjen e lirë të njëri-tjetrit përndryshe është gabim”, përfundoi Kadrijaj.