Nuk iu lejua hyrja në RTK, opozita: Kulmi i kapjes së shtetit nga regjimi i Kurtit
Deputetët e partive opozitare në Kosovës ia kanë mësyrë objektit të Radio Televizionit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie që seanca e sotme e Kuvendit nuk u transmetua drejtpërdrejt në kanalin qendror.
Deputetët gjatë seancës kishin paralajmëruar se do të shkonin në RTK e do t’i dërgonin transkriptet e fjalimeve të tyre. Por atyre nuk u është lejuar hyrja në objekt.
Në prononcim për media para objektit të RTK-së, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, u ka bërë thirrje ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së dhe Bordit që të japin dorëheqje.
“Tashmë aty ku ka arritur RTK-ja është jashtëzakonisht e frikshme. Para një periudhe disamujore u përballëm edhe me cenim të jetës së disa gazetarëve nga dy mediume shumë të respektuara në vendin tonë. Sot, kur në Kuvendin e Kosovës duhej të shpërfaqej një aferë e cila kap keqpërdorime rreth 20 milionë euro, në këto momente RTK-ja, qoftë drejtori gjeneral, Dejona apo kushdo tjetër, vendosi atë që s’kishte ndodhur më parë. E zhvendosi seancën e Kuvendit të Kosovës në një program periferik, e duke mos e transmetuar në program qendror. Është e papranueshme kjo. Pasi pikërisht sot qytetarët e Kosovës duhet të dëgjonin se si vidhen nga kapelat e zeza 20 milionë euro përmes ujit të pijshëm të vendit tonë. Kapelat e zeza të Dejonës sot në RTK mundem me mbyllë derën, edhe pak, por jo edhe gjatë. Sot çdo qytetar i vendit tonë e sheh abuzimin e tyre, e ndien abuzimin e tyre”, tha Tahiri.
“I bëjë thirrje ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së dhe anëtarëve të Bordit të japin dorëheqje nga këto pozita. Ata s’mund të jenë drejtues të RTK-së. S’mund të udhëheqin me RTK-në, e mbysin fjalën e lirë, e mbysin zërin opozitar”, deklaroi ai.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se qytetarët duhet në dëgjojnë për “Kapelat e Zeza”.
“Është e papranueshme kjo që ndodhi sepse pikërisht sot qytetarët e Kosovës do të duhej të dëgjonin se si vidhen nga “Kapelat e Zeza’”, tha ai.
Tahiri e ka akuzuar RTK-në për mos transmetimin e seancës së jashtëzakonshme.
“Për fjalimin e kryeministrit që ishte në një konferencë tregon shumë saktë e shumë drejtë, e shpërfytyron regjimin e Kurtit që dojnë me ndalë fjalën, dojnë me ndalë fjalën, debatin dhe argumentin”, tha ai.
Nga ana tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ia ka kujtuar Qeverisë së Kosovës datën e zgjedhjeve që do të mbahen me 9 shkurt.
“Nëntë shkurti tashmë është i largët kur këta do ta marrin çmimin për ato që i kanë bërë qytetarëve”, tha Zemaj.
Opozita vendosi edhe kapela të zeza në hyrje të Radio Televizionit të Kosovës.
Kujtojmë, që në më pak se 7 ditë, opozita ka thirrur dy seanca të jashtëzakonshme por në asnjërën prej tyre kabineti i Qeverisë së Kosovës nuk ka marrë pjesë.