Supremja: Apeli veproi drejt kur ua ndërpreu paraburgimin tre të dyshuarve për rastin e rezervave shtetërore
Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga prokurori i Shtetit kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit, me të cilin ishte ndryshuar aktvendimi i Themelores, ashtu që Ridvan Muharremit, Hafiz Garës dhe Irfan Lipovicës u ishte ndërprerë masa e paraburgimit për t’u mbrojtur në liri.
Muharremi, Gara dhe Lipovica dyshohen për dallavere me rastin e blerjes së rezervave shtetërore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me aktvendimin e 31 gushtit 2023, Gjykata e Apelit ka konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë nuk kishte arritur të vërtetojë dyshimin e bazuar se tre të dyshuarit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, që është kusht primar për ligjshmërinë e paraburgimit.
Kundër aktvendimit të Themelores (për caktim të paraburgimit) dhe atij të Apelit (për ndërprerje të masës), kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kishte ushtruar Prokurori i Shtetit me pretendimin për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor.
Prokurori i Shtetit kishte propozuar që Supremja ta aprovojë si të bazuar kërkesën dhe të anulohen aktvendimet e dy shkallëve më të ulëta dhe çështja të kthehet në rivendosje.
Kurse, përgjigje në ankesë kishte ushtruar mbrojtësi i të pandehurit Lipovica, avokati Feim Alaj, me propozimin që shkalla e tretë ta refuzojë si të pabazuar kërkesën e prokurorit, ndërsa aktvendimi i kundërshtuar të vërtetohet.
Fillimisht, Supremja në vendimin e përpiluar më 10 tetor 2024, thekson se me Kodin e Procedurës Penale i cili ka hyrë në fuqi më 17 shkurt 2023, parashihet mundësia e mjetit të jashtëzakonshëm juridik- kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj vendimit të formës së prerë, me të cilin është ndërprerë paraburgimi.
Për këtë, Supremja thotë se më 16 tetor 2023, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së neneve 432, par. 4 dhe 438, par. 2 të KPP-së me Kushtetutën, kurse para kësaj thuhet se është suspenduar procedura në këtë çështje deri në vendosje nga Kushtetuesja.
Kjo e fundit thuhet se më 15 korrik 2024 ka vlerësuar se Neni 432, par. 4 i KPP-së nuk është në kundërshtim me pikën 2 të paragrafit 1 të Nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me Nenin 5 (e drejta e lirisë dhe sigurisë) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Pas kësaj, Supremja thekson se u mbajt seanca e kolegjit, ku pas shqyrtimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e pabazuar.
Në kërkesë, Prokurori i Shtetit ka pretenduar se shkalla e dytë gabimisht ka konstatuar se nuk ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen sepse në provat që gjenden në shkresat e lëndës artikulohet dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat për të cilat dyshohen.
Prokurori i Shtetit në kërkesë ka thënë se provat specifikojnë veprimet e të pandehurve, të cilët kanë qenë të përfshirë në blerjen e produkteve të rezervave shtetërore për vitin 2022 dhe gjatë këtij procesi i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit. Po ashtu, ka thënë se është plotësuar kushti i ekzistimit të rrezikut të pengimit të procedurës penale, ngase Gara dhe Lipovica janë zyrtarë të MINT-it me pozita të larta menaxheriale dhe mund të ndryshojnë apo fshehin provat, përkatësisht mund të ndikojnë në dëshmitarë.
Kurse, Muharremi thuhet se kishte rol kyç në negocimin e kushteve të kontratave. Më tej, thuhet se dy zyrtarët kanë tejkaluar autorizimet e tyre ligjore duke ndërmarrë veprime të kundërligjshme dhe duke përfshirë të pandehurin Muharremi si afarist i jashtëm, e me këtë kanë atakuar drejtpërdrejt buxhetin e shtetit.
Por, Kolegji i Gjykatës Supreme vlerëson se pretendimet dhe kërkesa e Prokurorit të Shtetit nuk janë të bazuara, sepse nga provat dhe shkresat e lëndës (deri në vendosjen nga Apeli), Themelorja nuk ka arritur ta argumentojë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.
Po ashtu, thuhet se nuk është arritur të argumentohet fuqia provuese e provave se në veprimet e të pandehurve është arritur të ketë dyshim të bazuar mirë për veprat penale, e për të cilat është kusht primar për ligjshmërinë e paraburgimit. Prandaj, sipas Supremes masa e përcaktuar e paraburgimit nuk ka arritur nivelin e konsumimit të kushteve të paraburgimit.
“Andaj, gjykata e shkallës së dytë, drejt ka vepruar me rastin e ndërprerjes së masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, sepse sipas vlerësimit të kësaj gjykate nuk janë përmbushur kushtet (të veçanta) për caktimin e paraburgimit, pasi që përveç çështjes së dyshimit të bazuar, sipas shkresave të lëndës nuk është arsyetuar dhe argumentuar në mënyrë të qartë dhe në baza konkrete as rreziku se të pandehurit do të mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe në prova, kjo për faktin se provat veç janë marrë nga ana e prokurorisë dhe janë proceduar në gjykatë me dëgjimin e dëshmitarëve…”, thuhet në vendimin e Supremes.
Po ashtu, thuhet se nuk është argumentuar dhe arsyetuar as rreziku se të pandehurit mund të përsërishin apo kryejnë vepra tjera penale.
Andaj, Supremja konstaton se shkalla e dytë ka paraqitur arsye të mjaftueshme në lidhje me ndërprerjen e paraburgimit, pasi këto arsye gjejnë mbështetje edhe në shkresa të lëndës, si dhe në dispozita përkatëse ligjore dhe kushtetuese, dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që parashohin dhe garantojnë lirinë e lëvizjes.
“Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, me rastin e vendosjes posaçërisht ka pasur parasysh Nenin 182, paragrafi 3 të KPP-së se ‘Paraburgimi hiqet dhe i paraburgosuri lirohet në çdo fazë të procedurës posa të pushojnë shkaqet e caktimit të tij’, që nga interpretimi logjik i kësaj dispozite mund të konkludohet se paraburgimi paraqet masën e fundit ‘ultima ratio’ dhe e cila duhet të aplikohet vetëm përjashtimisht dhe nën kushte të paracaktuara dhe gjithmonë gjykata duhet të mbajë parasysh se ‘prezumimi është në favor të lirimit’ nga paraburgimi në raport me qëndrimin e tij në paraburgim”, thuhet në vendim.
Në fund, shkalla e tretë vlerëson se në rastin konkret nuk ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse Apeli drejt veproi kur ua ndërpreu paraburgimin Muharremit, Garës dhe Lipovicës, pasi që kanë pushuar arsyet ligjore për të cilat është caktuar kjo masë.
Vendimi i Supremes u mor nga kolegji në përbërje të Afrim Shalës - kryetar, si dhe Valdete Daka dhe Rasim Rasimi - anëtarë.
Një ditë pasi ishin arrestuar tre të dyshuarit, më 19 gusht 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë ua kishte caktuar nga një muaj paraburgim dy zyrtarëve Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe biznesmenit Ridvan Muharremi që ishin arrestuar për aferën e rezervave shtetërore.
Ndryshe, sipas dosjes së Prokurorisë të cilën e ka publikuar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se malli i paguar dhe i porositur për rezerva shtetërore – 200 mijë litra vaj, 120 mijë kg sheqer dhe 52.5 tonë grurë – nuk kishte ardhur në Kosovë. Vlera e këtij malli që nuk ka mbërritur në Kosovë sipas Prokurorisë është mbi 600 mijë euro.
Prokuroria Speciale kishte nisur të premten e 18 gushtit 2023 aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi.
Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.
Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga Neni 414 të Kodit Penal, kurse Ridvan Muharremi për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’”, nga Neni 414 lidhur me Nenin 33 të Kodit Penal.
Ministrja Rozeta Hajdari kishte hënë se dy zyrtarët e MINT-it janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore, derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.
Në mbrëmjen e së premtes (18 gusht 2023) kur ishin arrestuar të dyshuarit, Kryeministri Albin Kurti pati publikuar një videomesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet “ish-kastën e kalbur politike”. Kishte thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore.