Zemaj: Hafizi s’është person i parëndësishëm, ai është njeri i afërt me Kurtin
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, gjatë seancës së sotme të jashtëzakonshme për raportimet e mediave për ambalazhuesit e ujit dhe publikimin e bisedave mes Dejona Mihalit e Nagip Krasniqit dhe Mimoza Kusarit me Igor Simiqin, ka thënë se Dejona Mihali është vetë Kurti.
Ai deklaroi se kjo qeveri, e cila premtoi qeverisje “me duar të pastra”, nga aferat e fundit korruptive tregojnë se duart e tyre “janë gjithçka përveçse të pastra”.
“Tani vetë faktet e thonë se kjo qeveri veç duart e pastra nuk i ka, i ka zhytur në korrupsion. Madje në korrupsion të shkallës së lartë. Por, aferat korruptive të tyre po e gjejnë dritën e publikimit çdo ditë. Ngjashëm e kemi rastin edhe në temat për të cilën e kemi thirrur këtë seancë, dëmtimin e buxhetit të shtetit nga ministri Liburn Aliu dhe Naser Hafizi në vlerë rreth 90 milionë euro për shlyerjen e borxheve në forma të kundërligjshme për kompanitë kosovare të ambalazhuesve të ujit”, tha Zemaj.
Ai shtoi se Naser Hafizi nuk është ndonjë person i parëndësishëm, por “njeri i afërt me Kurtin, ndërsa për Dejonën tha se është “vetë Kurti”.
“Të rikujtojmë që Hafizi nuk është ndonjë person i parëndësishëm, ai është njeri shumë i afërt me Kurtin, ndërsa Dejona është vetë Kurti. Të dy rastet tregojnë se kjo qeveri është zhytur në korrupsion, këta njerëz janë shkurt e shqip struktura kriminale. Duhet të dimë se si njeriu i quajtur Naser Hafizi me pagë pak më shumë se 700 euro të blejë 4 banesa, prona dhe vec në muajin shkurt të këtij viti të ketë qarkullim bankar mbi 400 mijë euro, pse nuk janë alarmuar institucionet përgjegjëse me kohë për disproporcionin e madh në krahasim me të hyrat e tij, a deri këtu e ka kapur shtetin kjo qeveri e cila edhe sot del i mbron njerëzit e korruptuar dhe atë pa fije turpi? A mund të dijmë pse një person i quajtur Dejona Mihali, pa asnjë pozitë në qeveri, vendos kur duhet të ndalet rryma, çfarë të komunikohet dhe si të komunikohet për punësime dhe për zhvillim? Kësaj s’mund t’i themi gjë tjetër veçse organizim i një skeme kriminale, pa frikën e përgjegjësisë dhe pa brengën e llogaridhënies”, ka thënë Zemaj.