Tahiri: Strukturat parapolitike po vendosin për paratë e taksapaguesve
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se strukturat joformale parapolitike janë vendimmarrëse në qeverinë “Kurti”, duke u shprehur se ato po vendosin për paratë e taksapaguesve të Kosovës.
Sipas Tahirit, nëpërmjet pazareve po mundohet që paraja publike dhe korrupsioni të instalohen si e mirë publike.
“Të gjitha veprimet e njëpasnjëshme janë duke shpërfaqur që kjo qeveri ka ardhur në pushtet me mashtrim. Kosova ka ardhur në një stad ku struktura joformale po diskutojnë se ku duhet të ndalet rryma e kur jo. Është e papranueshme që parapolitika të ketë në dorë secilën ministri e ndërmarrje publike”, është shprehur deputeti i AAK-së.
Sipas Tahirit, është me rëndësi të diskutohet për shlyerjen e borxheve të ambalazhuesve.
“Nuk duhet të jetë asnjë paqartësi se mbi çfarë baze është përllogaritur e shlyer borxhi. Ne jemi në muajt e fundit të këtij Kuvend”, ka thënë ai, duke akuzuar pushtetin se s’po del të ballafaqohet në Kuvendit pasi “s’ka argumente”.
“Kjo Qeveri do të ikë më 9 shkurt për shkak se e ka tradhtuar besimin qytetar”, ka thënë ai.