Komunat me sfidat e njëjta në digjitalizim, Thaçi: Ka vullnet dhe mundësi për ndryshim nga niveli qendror e lokal
Komunat e Kosovës zakonisht përballen me sfidat e njëjta në procesin e digjitalizimit, mirëpo ato kanë filluar të kenë qasje progresive për t’i pranuar këto sfida.
Koordinimi ndërmjet nivelit lokal dhe qendror për proceset e digjitalizimit, promovimi i shërbimeve digjitale te qytetarët, aftësitë digjitale të zyrtarëve dhe siguria kibernetike, mbesin sfidat më të mëdha të tyre.
Kështu u tha në prezantimin e hulumtimit “Observimi i implementimit të agjendës digjitale në nivelin lokal në Kosovë”, nga “Open Data Kosovo”, hulumtim i bazuar në gjashtë komuna: Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, Rahovec dhe Ferizaj.
Blerta Thaçi, drejtoresha ekzekutive e “Open Data Kosovo”, ka theksuar se suksesi i digjitalizimit, i cili është më i dukshëm në disa fusha kyçe, kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet nivelit lokal dhe qendror, si dhe qytetarëve, OJQ-ve e mediave.
Ajo ka theksuar se komuna e Prishtinës dhe ajo e Gjilanit kanë bërë hapa të rëndësishëm në procesin e digjitalizimit.
“Ne si organizatë punojmë jashtëzakonisht shumë në digjitalizimin dhe të dhënat digjitale. Kemi pasur bashkëpunime të ndryshme në nivelin qendror dhe e kemi parë shumë të nevojshme që të kalojmë edhe në nivelin lokal”.
“Në këtë hulumtim, nuk jemi fokusuar vetëm në institucionet publike, por edhe tek akterët e tjerë që bashkëpunojnë me komuna, si shoqëria civile e grupet rinore. Komunat zakonisht përballen me sfidat e njëjta në digjitalizim dhe shihet se ka vullnet për t’i pranuar këto sfida. Komunat e kanë një qasje progresive në këtë aspekt, pyetja nuk është më ‘a mundemi’, por ‘si mundemi’. Është kuptuar se me digjitalizim, efikasiteti do të jetë shumë pozitiv”.
“Prezantimi i platformës së përbashkët elektronike, E-Komunat në kuadër të platformës më të gjerë E-Kosova paraqet një mundësi të re për të unifikuar qasjen në shërbimet komunale. Sfidat e përbashkëta nga komunat janë koordinimi mes nivelit lokal dhe qendror për proceset e digjitalizimit, promovimi i shërbimeve digjitale te qytetarët, aftësitë digjitale të zyrtarëve dhe siguria kibernetike”.
Thaçi ka theksuar se komunat partnere të projektit po kalojnë në një transformim digjital të rëndësishëm, i cili siç tha ajo, sjell mundësi dhe sfida të reja.“Mundësia për të transformuar shërbimet publike është veçanërisht e dukshme në disa fusha kyçe. Sidoqoftë, suksesi i këtij procesi kërkon bashkëpunim të ngushtë mes nivelit lokal dhe qendror, si dhe qytetarëve, OJQ-ve e mediave”, ka thënë ajo.
Ndërsa ka folur për komunat veç e veç, Thaçi ka thënë se komuna e Prishtinës, duke qenë edhe kryeqytet, ka më së shumti mundësi për digjitalizim. Ajo ka theksuar se Prishtina dhe Gjakova kanë bërë hapa të rëndësishëm në digjitalizimin e arsimit, shërbimeve online dhe projekte të qytetit SMART.
Komuna e Gjilanit ka hasur në më shumë sfida në nismat e transformimit digjital krahasuar me komunat e tjera.
“Edhe pse shoqëria civile dhe qeveria lokale e kupton rëndësinë e digjitalizimit, mungesa e kapacitetit dhe strukturës ka penguar këtë proces”, ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka shtuar se Peja është specifikisht e interesuar në përmirësimin e cilësisë dhe digjitalizimit të shërbimeve shëndetësore, ndërsa ajo e Rahovecit, iniciativat për digjitalizim i ka pjesë të planeve kombëtare, raporton EO.
“Komuna e Pejës është specifikisht e interesuar në përmirësimin e cilësisë dhe digjitalizimit të shërbimeve shëndetësore, një fushë ende e pazhvilluar në këtë komunë. Në Komunën e Rahovecit, iniciativat për digjitalizim janë pjesë e planeve kombëtare, por ka nevojë për plane lokale te veçanta, ndërsa shëndetësia mbetet prioritet për digjitalizim”.
Ndërsa, për Komunën e Prizrenit po përparon në digjitalizim përmes nismave qe përmirësojnë shërbimet publike.
“Ajo e Prizrenit po përparon në digjitalizim përmes nismave qe përmirësojnë shërbimet publike, inovacionin dhe aftësitë digjitale”, ka thënë ajo.
Pas prezantimit të hulumtimit, është mbajtur edhe një panel diskutimi për sfidat e digjitalizimit nga perspektiva lokale, akademike dhe e OJQ-ve.Gresa Deda, zyrtare për Teknologji Informative në komunën e Prishtinës, ka thënë se vazhdimisht po punojnë në digjitalizim, i cili ua lehtëson jetën qytetarëve.
“Tranaformimi digjital vë në pah nevojën për modernizimin e shërbimeve. Ne po kalojmë në një jetë dinamike çdo ditë, prandaj digjitalizimi na jep mundësi qe shërbimet ti marrim 24/7 pa pasur nevojë të takohemi me një njeri tjetër”.
Edhe Dardan Krypa, udhëheqës i Sektorit për Teknologji Informative nga Komuna e Gjakovës, ka thënë se po punojnë në projekte të reja, me ç’rast ka përmendur një portal i cili do të ofrojë informacione dhe do të promovojë qytetin dhe bizneset e tij.