Krasniqi uron Shqipërinë për hapjen e negociatave me BE-në, e quan kapitull historik
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehur i lumtur dhe krenar pas hapjes zyrtare të negociatave për kapitujt e parë drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ai e quajti këtë moment një “kapitull historik dhe më se të merituar,” që pason një punë të madhe dhe të përgjegjshme nga ana e Shqipërisë.
Krasniqi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe zbatimit të reformave të brendshme për arritjen e perspektivave të reja për shtetin dhe shoqërinë shqiptare.
“Shqipëria po dëshmon se përmes seriozitetit dhe angazhimit për reforma, hapen mundësi të jashtëzakonshme”, tha ai, duke përmendur se kjo është edhe një ëndërr dikur e largët për t’u bërë pjesë e BE-së.
Ai shprehu besimin se me qeverinë e re të Kosovës, në krye me Bedri Hamzën, edhe shteti ynë do të ketë një perspektivë të ngjashme.
“Urime Shqipërisë, kryeministrit Rama dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë!” përfundoi Krasniqi.