Rama: Gjenerali Jackson luajti rol vendimtar në fushatën për ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve në Kosovë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të komandantit të parë të KFOR-it në Kosovë, gjeneralit Mike Jackson.
Rama thotë se gjenerali Mike Jackson do të mbetet gjatë në kujtesën tonë kolektive për rolin e tij si komandanti i parë i KFOR-it, i cili më 1999 kishte drejtuar forcat ndërkombëtare në Kosovë, të kryesuara nga NATO-ja.
“Gjenerali Jackson luajti rol vendimtar në fushatën për ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës. Udhëheqja e tij ishte thelbësore në vendosjen e suksesshme të trupave të KFOR-it, duke siguruar tërheqjen e forcave serbe dhe kthimin e sigurt të popullsisë së zhvendosur”, shkroi Rama në Facebook.
Tutje, ai ka shtuar se “sot ai paska ndërruar jetë por trashëgimia e tij do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm, veçanërisht në Kosovë, ku kontributet e tij për paqen dhe lirinë janë thellësisht të çmuara”.