Kur gjenerali Jackson refuzoi “nisjen” e Luftës së Tretë Botërore në Kosovë në vitin 1999
Komandanti i parë i KFOR-it, gjenerali britanik Sir Mike Jackson, ka vdekur në moshën 80-vjeçare.
Lajmi për vdekjen e tij u bë publik në mediat ndërkombëtare.
Gjenerali Jackson u nderuar me Urdhrin e Shquar të Shërbimit (DSO) për shërbimin e tij dhe iu dha epiteti “Macho Jacko” nga shtypi britanik në qershor 1999 pas një konfrontimi me gjeneralin Wesley Clark, komandantin suprem amerikan të forcave të NATO-s në Evropë.
“Nuk do të filloj Luftën e Tretë Botërore”
Kur u urdhërua të pengonte forcat ruse në Aeroportin e Prishtinës pasi ato hynë në Kosovë pa marrëveshjen e NATO-s, ai refuzoi.
“Nuk do të filloj Luftën e Tretë Botërore për ju”, i tha ai gjeneralit Clarku.
Veprimi i Gjeneralit Jackson në atë kohë ishte parë gjerësisht si një qortim për njeriun që udhëhoqi NATO-n drejt fitores në Kosovë, por që u përplas në mënyrë të vazhdueshme me eprorët e tij sepse favorizonte taktika më agresive. Gjenerali Clark, për shembull, bëri presion për përdorimin e helikopterëve sulmues Apache, por dëshira e tij u refuzua nga frika e viktimave amerikane.
Telashet ishin ndezur në atë kohë mes dyshes sapo gjenerali Jackson u emërua komandant në terren në Kosovë. Bisedimet mbi rolin e Rusisë ishin prishur dhe gjenerali amerikan ishte aq i shqetësuar për të ndaluar Moskën që të marshonte e para mbi aleatët, ai urdhëroi trupat britanike dhe franceze të merrnin aeroportin, siç raportonte “Guardian” më 1999.
Gjenerali Clark më pas i kërkoi komandantit tjetër amerikan Admiralit James Ellis, i ngarkuar me Komandën Jugore të NATO-s, të zbarkonte helikopterët në pista për të parandaluar hyrjen e transportit gjigant rus Ilyushin. Megjithatë, admirali Ellis gjithashtu refuzoi, duke thënë se gjenerali Jackson nuk do ta pëlqente këtë.
Avionët rusë u ndaluan të uleshin vetëm pasi zyrtarët amerikanë bindën Hungarinë që t’u mohonte lejen për të fluturuar mbi vendin. Të dy gjeneralët iu drejtuan eprorëve të tyre politikë për mbështetje, por ndërkohë që qeveria britanike mbështeti gjykimin e gjeneralit Jackson, gjenerali Clark nuk mori asnjë mbështetje, që do të thotë se urdhrat e tij u anuluan.
Mike Jackson la gruan e tij Sarah, djemtë Mark dhe Tom, vajzën Amanda dhe katër nipër e mbesa.
Majori Andrew Fox, një ish-komandant kompanie në Regjimentin e Parashutës, e kujtoi Jacksonin, duke thënë: “Më vjen shumë keq që mësova për vdekjen e gjeneralit Sir Mike Jackson”.
“I nderuar që kam kaluar kohë në shoqërinë e tij në disa raste”, tha Majori Fox
Zëvendës-Marshalli Ajror Mick Smeath, Komandanti i Përgjithshëm i Regjimentit të RAF, tha: “Shumë i trishtuar kur dëgjova për vdekjen e gjeneralit Sir Mike Jackson”.
“Një nga oficerët më frymëzues ku kam pasur privilegjin të shërbej. U prefsh ne paqe, Sir”.