Gërvalla dhe Orav flasin për situatën aktuale në veri
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti sot në takim shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin, Aivo Orav, ku diskutuan për situatën aktuale në veri dhe përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, njofton Ministria e Jashtme.
Në njoftim thuhet se Gërvalla ka uruar Ambasadorin Orav për detyrën e re, duke theksuar përforcimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, veçanërisht në kontekstin e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të vendit tonë.
Tutje thuhet se Gërvalla ka nënvizuar përparimin e jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë në demokratizim, sundimi të ligjit, luftim të korrupsionit, avancim të lirisë së mediave dhe të drejtave qytetare, duke treguar qartë përkushtimin e plotë të vendit për të përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ajo ka theksuar se Kosova pret trajtimin me urgjencë të kërkesës së Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE si hap thelbësor për të ardhmen evropiane të vendit dhe të gjithë rajonit.