PDK-ja kërkon seancë të jashtëzakonshme për faljen e borxheve ambalazhueseve të ujit dhe mesazhet e Mihalit me Krasniqin
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se kanë kërkuar që të mërkurën të mbahet seancë e jashtëzakonshme për faljen e borxheve të ambalazhueseve të ujit dhe mesazhet ndërmjet Dejona Mihalit dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.
Ai madje tha se kanë kërkuar edhe themelimin e Komisionit hetimor për të hetuar faljen e borxheve, por që VV-ja ka kundërshtuar dhe se dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit është 11 milionë euro.
Përderisa për publikimin e mesazheve ndërmjet Mihait e Krasniqit, ai shtoi se kjo është e patolerueshme që një person pa asnjë kompetencë të vendos për kompaninë që ka qarkullim vjetor 150 milionë euro.
“Nesër kemi ftuar seancën e radhës, seancë e jashtëzakonshme. Kemi kërkuar edhe një komision hetimor në të cilën nuk është votuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Çështjen e borxheve të ambalazhuesve të ujit, kjo nuk është votuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Dëmi që është shkaktuar është 11 milionë euro”.
“Çështje tjetër e rëndësishme është çështja e përgjimeve në sektorin e energjisë elektrike. Dejona, e udhëheq sektorin energjetik të vendit tonë. Kush është Dejona që duhet me udhëheq KEK-un? Kompania publike qarkullon 150 milionë euro në vit, kush është Dejona për me udhëheq? Ajo na përcakton edhe kohën kur duhet me pas reduktime të energjisë elektrike”.
“Kjo është e jashtëligjshme t’i kërkojë që të kontaktojnë në mënyrë që Kosova mos me pas reduktime gjatë asaj periudhe. Fatkeqësisht del që personi në fjalë edhe tregton me energjinë elektrike edhe na tregon se kur me pas reduktime. Për neve është e rëndësishme me pa sa është e përfshirë Dejona në kontratat eenergjisë elektrike. Kjo çështje është jashtëzakonshme e rrezikshme dhe e cenon sigurinë kombëtare të shtetit tonë”, ka thënë Tahiri./EO