Korsitë e dedikuara për autobusët, Rama tregon për reformën në Trafikun Urban
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi sot një iniciativë të rëndësishme për të transformuar trafikun urban në kryeqytet.
Rama në një postim në Facebook bëri të ditur se në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe kompaninë ndërkombëtare ARUP, synohet një reformë gjithëpërfshirëse që do të modernizojë sistemin e transportit publik.
Kjo reformë përfshin disa aspekte kyçe, duke filluar me krijimin e një rrjeti të ri të trafikut urban që do të përmirësojë aksesin dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
Prioritet do të jetë zhvillimi i korsive të dedikuara për autobusët, duke garantuar një lëvizje më të shpejtë dhe të sigurt.
Po ashtu, do të implementohet një model i avancuar biletash, si dhe do të krijohen nyje transitore për lidhje më të mira ndërmjet linjave.
Një tjetër komponent i rëndësishëm i kësaj reforme është digjitalizimi i plotë i sistemit, që do të mundësojë informacione në kohë reale dhe lehtësi në përdorimin e shërbimeve.
Përveç kësaj, reforma do të ndërlidhet ngushtë me konceptin e Smart City, duke sjellë inovacione që do të përmirësojnë jetesën në kryeqytet.