Jasharaj: Ministri Murati kur flet për pagat nuk ka pse krenohet, po duhet të skuqet
Foto: Laura Hasani

Jasharaj: Ministri Murati kur flet për pagat nuk ka pse krenohet, po duhet të skuqet

Aktuale October 15, 2024 - 12:39

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një shkresë për mediat e ka kritikuar ministrinë e Financave, Hekuran Murati, për krekosjen e vazhdueshme me ngritjen e pagave.

Në shkrimin e tij për këtë çështje, Jasharaj tha se Murati nuk bën të krenohet për pagat, por e kundërta: duhet të skuqet.

“Ministri Murati është i njohur për qasje të gabuar ndaj dialogut dhe me qasje edhe armiqësore ndaj sindikatave dhe veçmas ndaj SBASHK-ut , por realiteti i tregon se në vend që të krenohet se gjoja paska pasur rritje të pagave, ai duhet të skuqet kur flet për këtë çështjen e pagave”, shkroi Jasharaj.

I pari i sindikalistëve gjithashtu përmendi faktin se në Kosovë gjatë periudhës së kësaj Qeverie ka pasur ngritje të madhe të çmimeve.

“Ministri duhet ta dijë se ngritje të lartë të çmimeve të artikujve elementarë të jetës kanë ndodhur vazhdimisht e rritje të dukshme të pagave, që do të mundësonin përballje më të lehtë me këto çmime nuk ka pasur. Ministri duhet të lë zënkat e deklaratat plot krekosje e të shohë realitetin, i cili është i hidhur”, vazhdoi më tej Jasharaj.

Në fund, Jasharaj ia rikujtoi Muratit ngritjen e ulët të pagave që nuk ka përbërë farë ndryshimi te mësimdhënësit.

“Mos harro se këtë vit ke bërë lëvizje të pagës në Arsimin Parauniversitar për vetëm 28 euro dhe këtë punëtorët e arsimit e kanë konsideruar ngritje ironike e nënçmuese e pagës”, përfundoi Rrahman Jasharaj.

Ministri i Financave në vazhdimësi ka pretenduar se pagat e sektorit publik janë rritur, por nuk e ka përmendur kurrë faktorin e inflacionit, gjë që ka bërë që këto ngritje as të mos vërehen.

Teksti i plotë pa ndërhyrje:

Shkruan: Rrahman Jasharaj

Ministri Murati nuk u ndal se lavdëruari për do farë rritje pagash në Kosovë edhe gjatë se dielës së kaluar. Ai deklarimin e vet e mbështeti edhe në ASK-në për t’u dukur se po thotë diçka, por ASK-ja e quan ngritje page edhe nëse ndodh një rritje ironike si ajo në arsim prej vetëm 28 euro në janarin e këtij viti sepse Murati e ngriti, pa pyetur as kë vlerën e koeficientit të pagave nga 105 në 110 euro.

Ministri Murati këto deklarime i bën për të krijuar një përshtypje se gjoja në Kosovë ka pasur rritje pagash dhe kështu ai dëshiron që në opinion, se paku te ata që i besojnë, t’i prezantoj si të paarsyeshme kërkesat legjitime të SBASHK-ut e të sindikatave tjera për rritje të vlerës së koeficientit për se paku 30 %.

Ministri Murati është i njohur për qasje të gabuar ndaj dialogut dhe me qasje edhe armiqësore ndaj sindikatave dhe veçmas ndaj SBASHK-ut , por realiteti i tregon se në vend që të krenohet se gjoja paska pasur rritje të pagave, ai duhet të skuqet kur flet për këtë çështjen e pagave. Ministri duhet ta dij se ngritje të lartë të çmimeve të artikujve elementar të jetës kanë ndodhur vazhdimisht e rritje të dukshme të pagave, që do të mundësonin përballje më të lehtë me këto çmime nuk ka pasur.

Ministri duhet të lë zënkat e deklaratat plot krekosje e të shoh realitetin , i cili është i hidhur. Ministri Murati duhet të lexojë statistikat edhe të vendeve rreth nesh.

Në ato shtete çmimet e artikujve elementar janë si te ne, apo pak më të larta, por Qeveritë atje i janë përgjigjur situatave dhe kanë bërë ngritje të dukshme të pagave në arsim e në sektorët tjerë. Ministri Murati le të hedh shikimin drejt Shqipërisë dhe do të shoh se kjo që po them unë është e vërtetë. Mësuesit atje i është bërë paga 900 e më shumë euro e mos të flasim për pagën e mësuesit në Mal të Zi.

Ministër Murati ti me deklaratat tuaja për ngritje pagash mund të marrish ndonjë duartrokitje nga ata që të besojnë verbërisht, por mijta të punësuar në sektorin publik e dinë të vërtetën dhe janë shumë të mllefosur në ty sepse ata mezi po e lidhin fillimin e muajit me fundin e tij dhe janë shumica në kredi. Mos harro se këtë vit ke bërë lëvizje të pagës në Arsimin Parauniversitar për vetëm 28 euro dhe këtë punëtorët e arsimit e kanë konsideruar ngritje ironike e nënçmuese e pagës.

Pra, Ministri Murati kur flet për pagat nuk ka pse krenohet, po duhet të skuqet.

(Autori është Kryetar i SBASHK-ut)