Qeveria “Kurti” pajis qindra vetura zyrtare me targa civile [dokument]
Qindra vetura zyrtare janë pajisur me targa civile gjatë dy viteve të fundit, kryesisht për shkak të tendencës së vazhdueshme të zyrtarëve shtetëror që t’i përdorin veturat e tilla jashtë orarit të punës, por edhe gjatë vikendeve.
Jo rrallëherë në të kaluarën zyrtarë të papërgjegjshëm shtetëror janë parë me vetura zyrtare në dasma, gjatë vikendeve në bregdetin shqiptar, por edhe rasti më ekstrem ishte para disa viteve në rrugën Prishtinë-Pejë, respektivisht në fshatin Balincë, në mes të rrugës dhe në pikë të ditës një zyrtar i shtetit të Kosovës kryente marrëdhënie seksuale në veturën me targa 4Z, e cila shfrytëzohej nga Prokuroria Themelore e Pejës.
Për shkak të rasteve të tilla të keqpërdorimit të veturave zyrtare, ish-ministri i Brendshëm i Kosovës, Flamur Sefaj, në vitin 2017 kishte marrë vendim që t’i anulojë të gjitha targat civile, pasi që ishin mbi 250 vetura të Qeverisë me targa të dyfishta.
Portali Front Online në muajin gusht 2024 i ka dërguar disa pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) në lidhje me veturat zyrtare që janë të pajisura me targa civile. Mirëpo, as pas dy javë pritjeje nga Ministria që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla nuk janë përgjigjur.
Pas këtij refuzimi, Front Online ka insistuar që përgjigjet t’i marrë bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike nëpërmjet Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), me ç’rast kjo e fundit ka arritur t’i siguroj përgjigjet e kërkuara nga MPB-ja.
Përndryshe, vendimet për targat e dyfishta janë marrë gjatë viteve 2023 dhe 2024, gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti”, edhe pse kryeministri Albin Kurti sa ishte në opozitë ishte kundër keqpërdorimit të veturave zyrtare dhe xhipave me xhama të zi.
Presidenca, Kuvendi, Zyra e Kryeministrit-Lista e plotë e institucioneve që kanë pajisur veturat zyrtare me targa civile
Bazuar në dokumentet e siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) nga 277 vetura zyrtare që kanë targa të dyfishta, mbi 180 janë në zyrën e kryeministrit dhe Ministrive të ndryshme të Qeverisë së Kosovës.
Bazuar në dokumentet që posedon Front Online këto institucione shtetërore kanë vetura me targa të dyfishta:
Presidenca e Kosovës i ka 15 vetura me targa civile
Kuvendi i Kosovës i ka 11 vetura me targa civile
Zyra e Kryeministrit i ka 20 vetura me targa civile
Ministria e Brendshme i ka 25 vetura me targa civile
Inspektorati Policor i ka 31 vetura me targa civile
Ministria e Punëve të Jashtme i ka 5 vetura me targa civile
Ministria e Drejtësisë i ka 12 vetura me targa civile
Ministria e Financave i ka 2 vetura me targa civile
Ndërmarrja Publike “Ibër Lepenc” e ka 1 veturë me targa civile
Institucionet financiare i kanë 5 vetura me targa civile
Administrata Tatimore e Kosovës i ka 15 vetura me targa civile
Inspektorati i Punës e ka 1 veturë me targa civile
Zyra e Thesarit e ka 1 veturë me targa civile
Ministria e Infrastrukturës i ka 7 vetura me targa civile
Ministria e Arsimit i ka 6 vetura me targa civile
Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka 6 vetura me targa civile
Ministria e Shëndetësisë i ka 4 vetura me targa civile
QKUK-ja i ka 2 vetura me targa civile
Qendra e Shëndetit Mendor i ka 2 vetura me targa civile
Ministria e Mjedisit i 2 ka vetura me targa civile
Ministria e Pushtetit Lokal e ka 1 veturë me targa civile
Ministria e Tregtisë i ka 2 vetura me targa civile
Ministria e Bujqësisë i ka 6 vetura me targa civile
Ministria e Kulturës i ka 2 vetura me targa civile
Ministria për Kthim i ka 2 vetura me targa civile
Ministria e Zhvillimit Rajonal e ka 1 veturë me targa civile
Gjykata Kushtetuese i ka 2 vetura me targa civile
Këshilli Gjyqësor i ka 2 vetura me targa civile
Gjykata Supreme i ka 2 vetura me targa civile
Këshilli Prokurorial i ka 16 vetura me targa civile
KQZ-ja i ka 3 vetura me targa civile
Banka Qendrore e Kosovës i ka 3 vetura me targa civile
Komisioni i Pavarur i Mediave i ka 2 vetura me targa civile
Agjencia e Privatizimit e ka 1 veturë me targa civile
Agjencia për Informim dhe Privatësi i ka 5 vetura me targa civile
Agjencia e Pronës e ka 1 veturë me targa civile
Agjencia për Menaxhimin e Memorialeve e ka 1 veturë me targa civile
Agjencia për Komunikime Elektronike dhe Postare i ka 4 vetura me targa civile
Sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës i ka 3 vetura me targa civile
Dogana e Kosovës i ka 28 vetura me targa civile
Komuna e Prishtinës, Obiliqit, Leposaviqit i kanë nga 2 vetura me targa civile