Shmanget fatkeqësia, dikush vendosi gurë mbi trasenë hekurudhore Prishtinë - Pejë
Një aksident është shmangur sot në linjën hekurudhore Prishtinë – Pejë, pasi dikush kishte vendosur gurë mbi trasenë hekurudhore.
Infrakos ka njoftuar se në dalje të stacionit Cerrovikë, respektivisht në kilometrin 37+500, dikush qëllimshëm kishte hedhur gurë mbi hekurudhë, por falë vigjilencës është shmangur fatkeqësia, transmeton Zeri.info.
Infrakos dhe Trainkos e kanë dënuar ashpër këtë veprim, i cili ka cenuar sigurinë e vendit dhe kanë rrezikuar jetën e shumë qytetarëve.
Njoftimi i lotë nga Infrakos:
Në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë ka ndodhur një akt i ulët nga individë të papërgjegjshëm, të cilët kanë hedhur gurë mbi trasenë hekurudhore, në dalje të stacionit Cerrovikë, respektivisht në kilometrin 37+500.
Falë vigjilencës dhe profesionalizmit të makinistëve të trenit (Trasa 761), është shmangur një fatkeqësi e mundshme, duke mbrojtur jetën e qindra udhëtarëve që po përdornin këtë linjë për udhëtim.
Infrakos dhe Trainkos dënojnë ashpër këtë akt të papranueshëm, i cili ka cenuar sigurinë e vendit dhe ka vënë në rrezik serioz jetën e shumë qytetarëve të pranishëm në trenin e linjës.
Vendosja e pengesës në një lokacion të përzgjedhur siç është rrezja e kthesës me kufizim të dukshmërisë në pamje ka rrezikuar daljen e trenit nga shinat, andaj na bën të besojmë se ky nuk është një akt i thjeshtë, por një veprim që duhet të vëjë në lëvizje organet e rendit.
Për këtë arsye, Infrakos dhe Trainkos u bëjnë thirrje organeve të sigurisë që të hetojnë dhe të zbardhin sa më shpejt këtë veprim të rrezikshëm, duke siguruar që autorët të marrin dënimin e merituar.
Hekurudhat e Kosovës mbeten të përkushtuara për të ofruar shërbime të sigurta dhe të besueshme për qytetarët e vendit.