Xhandarmëria serbe në kufi, Sveçla: Serbia ka qëllime hegjemoniste
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare, duke iu referuar prezencës së katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe në stacionin policor kufitar në Merdar.
Policia e Kosovës ka njoftuar se dje rreth orës 18:20 te pala serbe është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë që dyshohet të jetë e xhandarmërisë serbe.
Në njoftim thuhet se sipas informacioneve nga kompetentët aty shiheshin katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth 10 minuta tek hyrja e objektit te pala serbe.
Ministri pohoi se nuk është hera e parë që Serbia bënë veprime të tilla, për çka edhe konfirmoi se kanë njoftuar partnerët ndërkombëtar.
Madje, ai tha se, këto provokime do të dështojnë dhe se janë të gatshëm të ballafaqohen me çfarëdo sfide.
“Bëjnë shkelje të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare. Nuk është hera e parë që ata bëjnë shkelje të kësaj marrëveshje, por shpresojmë të jetë e fundit. Ne patjetër që jemi të gatshëm me u ballafaqua më çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë edhe t’i prezantojmë ato tek partnerët tanë si dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshëm për të bashkëpunuar pavarësisht marrëveshjet të cilat ajo i ka nënshkruar”, u shpreh Sveçla, raporton EO.
“Është e qartë se Kosova është e kërcënuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë gjithë aparati i tyre shtetëror punon për të përmbushur qëllimet e tyre të cilat jo vetëm që janë të papranueshme për ne, por edhe kriminale në realitetin tonë. Institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë që këto qëllime të Serbisë të zmbrapsen në çdo moment tash edhe në të ardhmen. Jam i bindur që këto provokime do të dështojnë patjetër vështirësojnë jetën e qytetarëve tanë posaçërisht të komunitetit serb, por ne jemi të aftë që të ballafaqohemi me çfarëdo sfide nga brenda apo jashtë”, tha ai.