Ndriçohet godina e Qeverisë për tetorin rozë
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës është ndriçuar sot për tetorin rozë.
E kryeministri Albin Kurti është shprehur se shërbimi i mamografisë, si masë parandaluese dhe diagnostikuese, është falas për të gjitha qytetarët e Republikës.
“Për herë të parë, vjet kemi zgjeruar qasjen në shërbimet e mamografisë mobile edhe në komunat veriore të vendit, ku për vetëm tri ditë janë realizuar 180 ekzaminime. Investimet e realizuara në Klinikën e Onkologjisë dhe blerja e dy akseleratorëve të rinj, përfshirë sistemin më të avancuar C-RAD, po ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e trajtimit. Në QKUK për herë të parë mund të bëhet falas rikonstruktimi i gjirit për gratë që e kanë mposhtur kancerin e gjirit”, shkroi Kurti në Facebook.
“Përkushtimi ynë është i përditshëm, që të sigurojmë qasje sa më të lehtë dhe të barabartë në shërbimet shëndetësore, për zbulimin e hershëm dhe për trajtimin e kancerit të gjirit. Në solidaritet me të gjitha gratë që po luftojnë me vendosmëri për jetën, ritheksojmë se luftën do ta bëjmë bashkërisht. Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku!”, shkroi tutje shefi i ekzekutivit.