Kurti: 25 vjet pas, Serbia e mbyllur për fluturime komerciale për Kosovën
Kryeministri Albin Kurti ka potencuar se 25 vjet pas luftës, hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt apo nga Kosova.
Këtë ai e ka thënë në sesionin e dytë të Samitit të Procesit të Berlinit rreth Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Energjinë dhe Lidhshmërinë.
“25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt apo nga Kosova. Kjo nuk shërben pozitivisht as për marrëdhënie fqinjësore, as për adaptimin klimatik”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Tutje kryeministri ka njoftuar për objektivin rreth reduktimit të emetimeve të gazrave serrë për 36% deri në vitin 2030 dhe për t'i mbajtur rezervat nëntokë.
“Digjitalizimi mundëson tranzicionin e gjelbër dhe jemi vendi me digjiitalizimin më të shpejtë në rajonin tonë. Mbi 70% e kompanive të sektorit të teknologjisë eksportojnë shërbimet e tyre dhe kemi 100% qasje në rrjet me brez të gjerë”, thuhet në njoftim.