Presidentja e KE-së pas Samitit të Procesit të Berlinit: Integrimi i hershëm ekonomik, çelës për anëtarësimin në BE

Presidentja e KE-së pas Samitit të Procesit të Berlinit: Integrimi i hershëm ekonomik, çelës për anëtarësimin në BE

Aktuale October 14, 2024 - 15:06

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka publikuar fotografinë e përbashkët pas samitit të sotëm të Procesit të Berlinit, ndërsa tha se “integrimi i hershëm ekonomik është çelësi i suksesit të zgjerimit”.

Ajo shkroi në “X” se “tregu i përbashkët rajonal luan një rol kyç”.

“Sa më mirë të funksionojë, aq më mirë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor mund të integrohen gradualisht në tregun tonë të vetëm”, shkroi ajo.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz i priti liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin. Në hapje të samitit të Procesit të Berlinit, ai u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u zotuar se për këtë do të punojë edhe personalisht me të dyja vendet.

Kosova rrezikoi të përjashtohej nga marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA dhe Procesi i Berlinit, siç u paralajmërua nga Gjermania, por për ta shmangur këtë një e hoqi para një jave ndalesën për mallrat serbe.

Qeveria e Kosovës i ndaloi importet e mallrave nga Serbia në qershor të vitit 2023, si një masë sigurie pasi tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës ishin marrë nga forcat serbe. Më pas Beogradi i la ata të lirë pas presionit ndërkombëtar.

Tash, Kosova përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Gjithsesi, pranë emrit të Kosovës do të vendoset një yll, ose fusnotë, që tregon se statusi i vendit nuk është zgjidhur përfundimisht.