Opozita e kritikon, Maqedonci shijon ushqimin e FSK-së

Opozita e kritikon, Maqedonci shijon ushqimin e FSK-së

Aktuale October 14, 2024 - 14:35

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot ka vizituar kazermën e FSK-së “Adem Jashari”, në të cilën e kreu dhe një vakt të ushqimit.

Sipas disa fotografive të siguruara nga Telegrafi, ministri Maqedonci shërbehet me ushqim të bollshëm në këtë kazermë, shujtë e cila është e dedikuar për ushtarët e FSK-së.

Ndërkaq, sot deputetët e opozitës pa pjesëmarrjen e atyre të pozitës janë duke mbajtur një seancë të jashtëzakonshme për gjendjen e ushqimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes foltores së Kuvendit të Kosovës ka thënë se Kurti është mashtrues dhe ka arritur që ta lërë ushtrinë e Kosovës pa bukë.

Ndërsa, ish-ministri i Mbrojtjes, njëherësh deputeti i LDK-së Anton Quni, ka thënë se është shqetësim thelbësor situata në FSK, e cila prek shëndetin dhe mirëqenien e ushtarëve tanë.

Edhe deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se asnjëherë nuk do të donte të fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës për Forcën e Sigurisë së Kosovës për problemet me të cilat ditëve të fundit po përballen, atë të karakterit logjistik.

Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes, përmes një reagimi, ka bërë të ditur se: “Me pranimin e personelit prej 106 personash kjo problematikë do t’i përkasë së kaluarës”.

Image

Image

Image