Dy dekada nga tragjedia e maturantëve të Malishevës
20 vjet më parë autobusi me maturantë të gjimnazit të Malishevës “Abdyl Frashëri” ishte aksidentuar në Fushë-Arrëz, përderisa po ktheheshin nga ekskursioni në Shqipëri, aksident në të cilin kishin humbur jetën 15 maturantë.
Të gjithë maturantët janë të varrosur në “Lëndinën e lotëve” afër varrezave të lagjes së Gurit në Malishevë.
Në nderim të tyre është ndërtuar një lapidar në vendin ku janë të varrosur, ndërsa shteti shqiptar, në vendin e ngjarjes, ka ngritur një obelisk në shenjë nderimi të tyre.
Më 11 tetor, në prag të këtij përvjetori, Komuna e Malishevës, përmes Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, ka pasuruar bibliotekën e gjimnazit, e cila mban emrin “15 Maturantët”, me një fond të ri librash.
Me këtë rast u mbajt edhe një orë letrare në përkujtim të maturantëve të ndjerë.
Drejtoresha e Arsimit në Malishevë, Arbëreshë Krasniqi, e cila ishte bashkëkohëse me viktimat, kujtoi me emocion këtë ngjarje tragjike.